schema:text
| - Kosova nuk e ka marrë donacion sistemin anti-ajror “Korhan System” nga Turqia
Deklarata
Korhan System është sistemi anti-ajror e cila ka fuqi të t’merrshme ku çdo lloj sulmi me helikopter ose dron, ky sistem mund ti shkatërrojë në ajër, ky është prodhim Turk anti-sulme ajrore që do ti dhurohen 5 copa Kosovës nga Republika e Turqisë
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi që thot se “Korhan System është sistemi anti-ajror e cila ka fuqi të t’merrshme ku çdo lloj sulmi me helikopter ose dron, ky sistem mund ti shkatërrojë në ajër, ky është prodhim Turk anti-sulme ajrore që do ti dhurohen 5 copa Kosovës nga Republika e Turqisë”. Kosova nuk e ka pranuar një donacion të tillë nga Turqia. Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Kosovës kanë mohuar se kanë pranuar si donacion pesë sisteme kundër-ajrore nga Turqia. Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes ka thënë se Kosova nuk e ka pranuar një donacion të tillë.
Artikulli
Më 08.09.2024 faqja në Facebook ‘Lajme nga Bota’ ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes të Republikës së Turqisë.
Faqja pretendon se Turqia i ka dhuruar Kosovës pesë sisteme anti-ajrore të quajtura “Korhan System”.
“‘Korhan System’ është sistemi anti-ajror i cili ka fuqi të t’merrshme ku çdo lloj sulmi me helikopter ose dron, ky sistem mund ti shkatërrojë në ajër, ky është prodhim Turk anti-sulme ajrore që do ti dhurohen 5 copa Kosovës nga Republika e Turqisë”- thuhet në postim.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kontrolluar njoftimet e publikuara nga Qeveria e Kosovës rreth takimeve të presidentit të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Në komunikatën zyrtare të publikuar nga Zyra e Kryeministrit për takimin e Kurtit me Gorgun, të mbajtur më 03.09.2024, nuk përmendet askund se Kosova ka pranuar një donacion nga Turqia për sistem të quajtur “Korhan System”.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet se gjatë takimit Kurti e ka falënderuar Gorgun për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia “e cila mbetet një prej partnerëve kryesorë të Kosovës”.
“Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia”- thuhet në njoftim.
Gorgun ishte pritur në takim edhe nga ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci.
Në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes nuk është thënë se Kosova ka pranuar pesë sisteme anti-ajrore nga Turqia, mirëpo është folur për kontributin e Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës.
“Në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë vazhdimisht Republika e Turqisë, kontribut për të cilin ne jemi mirënjohës e falënderues. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje të ngrisim kapacitetet e ushtrisë sonë duke bashkëpunuar me aleatët tanë”- ka thënë ministri Maqedonci.
Krypometër ka kontaktuar me Ministrinë e Mbrojtjes për të qartësuar nëse kanë pranuar një donacion të tillë nga Turqia. Liridona Gashi, zëdhënëse në këtë ministri, ka konfirmuar se Kosova nuk ka pranuar një donacion të tillë.
“Nuk kemi pranuar një donacion të tillë”- ka thënë Gashi në përgjigje për Krypometër.
Ministria e Mbrojtjes në vazhdimësi ka publikuar njoftime për donacionet që ka pranuar për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Më 24.08.2024, Ministria e Mbrojtjes kishte njoftuar se kanë pranuar 1 milion euro donacion nga Turqia për të ngritur kapacitetet e ushtrisë së Kosovës.
Vitin e kaluar, Kosova ka blerë dronë Bayraktar nga Turqia. Më 16.07.2023, kryeministri bashkë me atëherë ministrin e Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj dhe komandantin e FSK-së Gjeneral Lejtnant Bashkim Jasharin, kishin prezantuar dronët Bayraktar TB-2 si pjesë e arsenalit të Ushtrisë së Kosovës.
Bayraktar është kompani pionere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit. Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilotë apo dronë dhe është veçanërisht e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2.
Ndërkaq, Korhan është një sistem luftarak i blinduar i gjeneratës së re me fuqi të lartë zjarri, i pajisur me sisteme të avancuara të zbulimit dhe gjurmimit të objektivave, i pajisur me sisteme të teknologjisë më të fundit të vetë- mbrojtjes.
|