schema:text
| - Rrena se ilaçi i zhvilluar në Klinikën e ORL-së rikthen dëgjimin
Deklarata
Sekreti më i rëndësishëm se si të rivendosni dëgjimin pa kirurgji dhe injeksione është zbuluar. Merrni këto pilula…
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Artikulli me titull “Sekreti më i rëndësishëm se si të rivendosni dëgjimin pa kirurgji dhe injeksione është zbuluar. Merrni këto pilula…” është i rremë. Zyrtarët nga Klinika e Otorinolaringologjisë thonë se nuk e kanë zbuluar një ilaç si pretendohet në artikull. Emri që është prezantuar si drejtor i Klinikës së ORL-së është i rremë, ashtu siç është edhe fotografia me të cilën është bërë ilustrimi. Drejtori i ORL-së, Arsim Behramaj, ka thënë se nuk kanë mjek me emër Arben Krasniqi në këtë klinikë. Po ashtu, ilaçi që tentohet të shitet përmes mashtrimit nga ky postim nuk ka autorizim marketingu për shitje në Kosovë, është konfirmuar nga Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Artikulli
Më 4 korrik 2023, faqen në Facebook “HappyFeet” ka shpërndarë një artikull me përshkrimin “Sekreti më i rëndësishëm se si të rivendosni dëgjimin pa kirurgji dhe injeksione është zbuluar. Merrni këto pilula…”
Ky artikull thot se Klinika e Otorinolaringologjisë ka zhvilluar një ilaç i cili rikthen dëgjimin te personat që e kanë humbur atë.
Në tekst thuhet se është realizuar intervistë me drejtorin e kësaj klinike, të quajtur Arben Krasniqi. Por, Arben Krasniqi nuk është drejtor i ORL-së, por është Arsim Behramaj.
Oda e Mjekëve të Kosovës i ka thënë Krypometrit se Arben Krasniqi nuk është anëtar i kësaj Ode, pra nuk ka licencë për të punuar si mjek në territorin e Kosovës.
Krypometri ka kontaktuar me drejtorin e ORL-së, Arsim Behramaj, i cili e mohoi të kenë krijuar një ilaç të tillë. Përveç kësaj, ai ka thënë se pretendimet e ngritura në këtë artikull janë të rreme.
Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka thënë për KALLXO.com se ky produkt nuk ka autorizim marketingu për shitje në Kosovë.
Fotografia e publikuar, kinse e Arben Krasniqit, është fotografi nëpër faqe të ndryshme të internetit dhe paraqitet me emra të tjerë.
|