schema:text
| - Informacioni i rremë se është arratisur Ilir Meta
Deklarata
Arratiset nga burgu Ilir Meta
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë mbishkrimi “Arratiset nga burgu Ilir Meta”, i cili është vendosur në disa video në të cilat shihet ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Videot janë marrë nga profili i Ilir Metës dhe të njëjtat janë publikuar shumë kohë më parë nga vet Meta, duke treguar aktivitetin ditor të tij. Më 21.10.2024, Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) e ka arrestuar ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, mbi akuzat për korrupsion. Ndërsa Gjykata e Posaçme ka vendosur që Ilir Meta të mbetet në burg.
Artikulli
Më 24.10.2024 faqja në Facebook ‘Lokimagazine’ (arkiva & arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Video mban mbishkrimin “Arratiset nga burgu Ilir Meta”.
I njëjti material është publikuar edhe në faqen e Instagramit të lokimagazine (arkiva).
Pas kërkimit në internet, Krypometër ka gjetur videon origjinale e cila është publikuar më 14.09.2024, në faqen zyrtare të Ilir Metës në rrjetin social në Instagram.
Meta në këtë video kishte treguar se ka vizituar fshatin Shkrel.
“Mirëmëngjes të gjithëve nga Shkreli i Rugovës! Nga kjo mrekulli e jashtëzakonshme, ju uroj një të shtunë të këndshme!”- shkruhet në postim.
Një video tjetër, por me konstatime të ngjashme, që “Ilir Meta është arratisur nga burgu” është publikuar edhe në profile të tjera (arkiva & arkiva) dhe në faqen ‘fieritoday’ (arkiva & arkiva).
Më 21.10.2024, ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u arrestua nga policia me urdhër të SPAK. Pas një hetimi disavjeçar ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.
Prokuroria e Posaçme e akuzon ish- presidentin Meta për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, nga një marrëveshje interkoneksioni energjetik, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji me porosi të biznesmenit Samir Mane, i cili sipas SPAK nuk është nën akuzë pasi çështja është parashkruar.
Pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta, në profilin e tij është publikuar një postim në emër të tij. Ai e ka krahasuar arrestimin e tij nga Policia e Shtetit me një pengmarrje.
“Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat”- shkroi ai.
“Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj në pafajësinë time të plotë”- shtoi Meta.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-presidentin Ilir Meta, si dhe “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi.
Ilir Meta ka qenë Sekretar Shteti për Integrimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë gjatë periudhës mars- tetor 1998 dhe më pas zv. kryeministër dhe ministër i Koordinimit Qeveritar nga tetori i vitit 1998 deri në tetor të vitit 1999.
Gjatë periudhës nëntor 1999- shkurt 2002, ai ka qenë kryeministër i Shqipërisë, i rikonfirmuar edhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001.
Në shtator të vitit 2013, Ilir Meta u zgjodh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, pozicion të cilin e mbajti deri më 28.04.2017, ditë kur u zgjodh president i Republikës së Shqipërisë. Këtë pozitë ai e ka mbajtur nga 24.07.2017 deri më 24.07.2022.
|