schema:text
| - Në Shqipëri nuk ka ndodhur aksidenti me 12 të vdekur
Deklarata
“Tragjedi! Përmbyset autobusi, të paktën 12 të vde*kur dhe 13 të pla*gosur…𝐋𝐚𝐣𝐦𝐢 𝐧‘𝐤𝐨𝐦𝐞𝐧𝐭”
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë raportimi që pretendon se nga një aksident i një furgoni me targa të Shqipërisë kanë vdekur “të paktën 12 të vde*kur dhe 13 të pla*gosur”. Në Shqipëri nuk ka ndodhur ndonjë aksident me 12 të vdekur gjatë muajit tetor të vitit 2023. Aksidenti për të cilin është raportuar ka ndodhur në Egjipt, në të cilin kanë vdekur 12 persona. Ndërsa aksidenti i furgonit me targa të Shqipërisë me të cilin është ilustruar ky titull ka ndodhur më 04.10.2024, në aksin Levan- Tepelenë, në afërsi të fshatit Buzmadh dhe aty nuk kishte asnjë person të vdekur.
Artikulli
Më 16.10.2024 faqja në Facebook ‘Çudira dhe Hajgare’ (arkiva) ka publikuar një fotografi të një aksidenti me përshkrimin “Tragjedi! Përmbyset autobusi, të paktën 12 të vde*kur dhe 13 të pla*gosur…𝐋𝐚𝐣𝐦𝐢 𝐧‘𝐤𝐨𝐦𝐞𝐧𝐭”.
Në postim nuk është specifikuar vendi se ku ka ndodhur aksidenti, ndërsa i njëjti është ilustruar me një fotografi të një veture të aksidentuar me targa të Shqipërisë.
Krypometër ka kontrolluar komunikatat e publikuara nga Policia e Shtetit në Shqipëri në datat 15.10.2024 dhe 16.10.2024, mirëpo aty nuk është dhënë ndonjë lajm për ndonjë aksident me 12 persona të vdekur. As mediat në Shqipëri nuk kanë raportuar për ndonjë aksident në të cilin kanë vdekur 12 persona.
Tutje, Krypometër përmes kërkimit të fotografisë së aksidentit në ‘Google Lens’, ka gjetur se fotografia i përket një aksidenti që ka ndodhur në aksin Levan- Tepelenë në afërsi të fshatit Buzmadh në Shqipëri.
Top Channel pati raportuar se më 04.10.2024, një furgon mallrash dhe një furgon pasagjerësh janë përplasur duke lenë pas gjashtë të lënduar, mirëpo asnjë person nuk kishte vdekur në këtë aksident. Sipas raportimit të mediave, shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë lagështia në rrugë dhe shpejtësia përtej normave.
Tutje, Krypometër ka kërkuar informacionet për ndonjë aksident që ka ndodhur në mes të muajit tetor dhe në të cilin kanë vdekur 12 persona.
Krypometër ka gjetur se aksidenti në të cilin kanë vdekur 12 persona ka ndodhur në Egjipt më 14.10.2024.
Reuters raportoi se të paktën 12 persona kishin vdekur, derisa 33 të tjerë mbetën të lënduar si pasojë e aksidentit të ndodhur në një autostradë që lidh Kajron me bregun e Detit të Kuq.
Ministria e Shëndetësisë në Egjipt kishte njoftuar se 28 ambulanca u dërguan në vendin e aksidentit.
|