Rrena për aksidentimin e deputetes
Deklarata
Aksidentohet Ganimete Musliu në Skenderaj
Vlerësimi
Rrenë
Fotografi në të cilën shihet një traktor i rrokullisur nuk është fotografi që tregon ndonjë aksident që është bërë së fundmi. I rremë është edhe përshkrimi i kësaj fotografie që është publikuar që ishte: “Aksidentohet Ganimete Musliu në Skenderaj”. Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu nuk është aksidentuar. Ajo ka thënë se “shumë njerëz janë shqetësuar dhe me kanë shkruar kur e kanë pa këtë informacion.”
Artikulli
Faqet në Facebook “Gazeta Plisi” dhe “Ylli.net” më 3 korrik postuan një fotografi me një mbishkrim të rrejshëm.
Dy faqet shpërndanë një fotografi ku shihej një traktor i rrokullisur e ku shkruhej “Aksidentohet Ganimete Musliu në Skenderaj”.
Por, informacioni i cili mori mbi 1 mijë reagime e mbi 500 komente, nuk është i vërtetë.
Ganimete Musliu, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Kosovës nuk është aksidentuar.
Këtë ajo e ka konfirmuar vetë në një përgjigje për KALLXO.com. Musliu tha se informacioni i rremë i publikuar në rrjete sociale ka shqetësuar të afërmit e saj.
“E para unë s’kam pësu aksident, një gjë e tillë as që ka ndodhë. E dyta shumë njerëz janë shqetësuar dhe me kanë shkruar kur e kanë pa këtë lajm. Sa i përket komentit çka të them tjetër vetëm Zoti ju ndihmoftë këtyre njerëzve, ta largojnë tërë këtë energji negative që e kanë”- deklaroi deputetja Musliu.
Më 3 korrik, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu bëri një postim në rrjetin social Facebook duke kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mos mbështetjen e një projekti të ujësjellësit në fshatrat e komunës së Skenderajt.
“Albin kur të mbarosh punë me kombanja doku edhe nëpër katune të Skenderajt që i ke lanë pa ujë duke e largu projektin e ujit nga buxheti për vitin 2022. Këta qytetar nuk e meritojnë të ndeshkohen politikisht”- kishte shkruar ajo derisa kishte postuar një video të shkurtër duke vozitur një traktor.
Pas këtij postimi faqet në Facebook, si “Gazeta Plisi” dhe “Ylli.net” kanë postuar fotografi me përshkrim të rremë për kinse aksidentin e Musliut në Skenderaj.