schema:text
| - Rrena se Rashit Qalaj e ka quajtur kapadai Veton Elshanin
Deklarata
Pash ni zot nigone qa thot ky i pa ftyr per veton elshanin
Vlerësimi
Rrenë
Video e kandidatit për deputet të PDK-së, Rashit Qalaj e publikuar me mbishkrimin “Pash ni zot nigone qa thot ky i pa ftyr per veton elshanin”- është e manipuluar. Është i rremë pretendimi se Qalaj në këtë video po flet për Veton Elshanin. Edhe video e shpërndarë është manipuluar, pasi i është vendosur fotografia e Veton Elshanit, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës. Në këtë video, Qalaj flet për veprimet e një polic dhe veprimet e tij gjatë festës së Vidovdanit.
Artikulli
Më 10.01.2025, llogaria në Facebook (arkiva dhe arkiva), ka publikuar në video në të cilën shihet deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj dhe zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
Në material Qalaj dëgjohet duke e dhënë një deklaratë, e që në postim thuhet se e njëjta është për Elshanin.
“Nuk pajtohem me diskutimin për shkak se, ky polic është dashtë me u suspendu, kushdo që e kish e pasë informatën prej eprorëve, në atë moment, me u largu prej operacionit, është kapadai. Veprimi i këtij polici është jo profesional, po e them dhe po e përsëris, është jo profesional. Nuk ke nevojë, se ti je polic i Republikës së Kosovës, me i thanë dikujt që këtu është Republika e Kosovës. Ti duhet me punu që Republika e Kosovës me dalë e suksesshme edhe në disa manifestime të cilat gjithmonë kanë qenë problematike dhe gjithmonë kanë tentu që me këtë manifestim me e dëmtu Kosovën. Ti e ki obligim, nëse dikush prej atyre që tash po quhen ankues, kanë bë provokim, duhet me parandalu atë. Nëse ai e ka sulmu, është dashtë me i marrë masat që ai person të izolohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mbahet dikund gjersa të vije një patrullë tjetër policore që nuk është pjesë e operacionit, por që e merr dhe e çon në stacion.”- thotë Qalaj në këtë video.
Për të verifikuar këtë pretendim, Krypometër përmes kërkimit në Youtube ka gjetur emisionin e plotë “KallxoPërnime”, në të cilin Qalaj ishte mysafir.
Qalaj në emisionin KallxoPërnime, i transmetuar më 05.07.2025, ka qenë duke komentuar menaxhimin e turmës nga ana e Policisë së Kosovës gjatë manifestimit të “Vidovdanit” në Gazimestan.
Qalaj në videon origjinale, nuk përmend në asnjë moment Veton Elshanin, por, këto fjalë i ka për një polic i cili ishte pranishëm gjatë festës së Vidovdanit dhe sipas tij nuk kishte arritur të menaxhonte turmën si duhet (shih këtu emisionin e plotë).
Nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se video që përmban foton e Elshanit, paraqet manipulim me fakte.
Teuta Berisha nga PDK thekson se Qalaj nuk ka folur për Elshanin por, “për një zyrtar policor, i cili ka reaguar në mënyrë jo profesionale në një incident të provokuar nga serbët në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit”.
“Kjo video paraqet manipulim me fakte. Rashit Qalaj nuk flet për Veton Elshanin, por, për një zyrtar policor, i cili ka reaguar në mënyrë jo profesionale në një incident të provokuar nga serbët në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit.”- ka thënë Berisha për Krypometër.
Qytetarë të komunitetit serb e kishin vizituar Gazimestanin për të shënuar Vidovdanin, më 28.06.2024. Gjatë manifestimit, Policia nuk i ka lejuar qytetarët serbë që të bartin me vete bluza, flamuj apo materiale të tjerë me thirrje nacionaliste, teksa i kishin hedhur në kosh të mbeturinave disa prej materialeve që kishin mbishkrime me thirrje nacionaliste.
Në anën tjetër, Rashit Qalaj është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai tashmë është në listën e PDK si kandidat për zgjedhjet parlamentare të datës 09.02.2025.
Në mandatin e fundit si deputet, ai ishte anëtar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe në Komsionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës. Qalaj ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2000. Në mars të vitit 2013, Qalaj ishte emëruar Drejtor i Departamentit për Operacione në Prishtinë ndërsa në vitin 2018 ishte emëruar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, detyrë të cilën e ka mbajtur deri më 16.10.2020 kur ishte shkarkuar nga asokohe ish- kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
|