schema:text
| - Deklarata e rreme që i mveshet Baki Kelanit
Deklarata
“Kelani: sot prej ores 17:30 kemi pranuar mbi 300 denoncime per vjedhje te kuletave te qytetaret ne Prishtine, per dallim me fushaten e fundit ka rritje 100%, heren e fundit ishin rreth 150 denoncime”
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi “Kelani: sot prej ores 17:30 kemi pranuar mbi 300 denoncime per vjedhje te kuletave te qytetaret ne Prishtine, per dallim me fushaten e fundit ka rritje 100%, heren e fundit ishin rreth 150 denoncime”. Në Raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës nuk është raportuar për 300 raste të vjedhjeve të raportuara pas tubimeve të fundit elektorale të mbajtura nga PDK dhe LDK. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë se nuk ka dhënë një deklaratë të tillë.
Artikulli
Më 08.02.2025, një profil në Facebook (arkiva) ka publikuar një fotografi të zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelanit dhe një deklaratë që pretendohet se e ka thënë ai.
“Kelani: sot prej ores 17:30 kemi pranuar mbi 300 denoncime per vjedhje te kuletave te qytetaret ne Prishtine, per dallim me fushaten e fundit ka rritje 100%, heren e fundit ishin rreth 150 denoncime”- pretendohet se ka deklaruar Kelani.
Krypometër ka kërkuar në internet nëse një deklaratë e tillë është thënë nga Kelani, por nuk ka gjetur një deklaratë të ngjashme.
Tutje, Krypometër ka kontaktuar me zëdhënësin Kelani për të sqaruar nëse ka dhënë këtë deklaratë.
Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë deklarim zyrtar, lidhur me çështjen në fjalë.
“Nuk ka pasur asnje deklarim zyrtar lidhur me çështjen në fjalë, as tani në këto zgjedhje e as në të kaluarat. Rastet PK-ja i bënë publike përmes raportit 24 orësh, andaj publikimi i tillë nuk është zyrtar.”- ka deklaruar Kelani.
Krypometër ka analizuar Raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, por nuk ka gjetur ndonjë rast të vjedhjes së portofolave.
Ky postim është bërë në ditën kur dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës i kanë mbajtur tubimet përmbyllëse të fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
PDK e kishte mbajtur tubimin përmbyllës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke filluar nga ora 16:00, kurse LDK e kishte mbajtur tubimin vetëm 2 orë më vonë në sheshin “Skënderbeu”.
Qytetarët e Republikës së Kosovës po votojnë duke u bazuar në vendimin e Presidentes, sipas së cilit Zgjedhjet ishin caktuar të mbahen nga presidentja Vjosa Osmani, më 09.02.2025.
Në këto Zgjedhje, kandidatë për kryeministër nga subjektet politike në vend janë: Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministër aktual, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Harandinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në këto Zgjedhje, sipas të dhënave të KQZ. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, vetëm në Kosovë, është 1 milion e 970 mijë e 944 votues. Në Zgjedhjet parlamentare do të garojnë 28 subjekte politike. Prej tyre 19 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Në të gjithë territorin e vendit janë hapur 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.
|