schema:text
| - Keqpërdorimi i imazheve të doktorëve të huaj për të shitur produkte për dobësim
Deklarata
Çlirohuni nga kilogramët e tepërt dhe vazhdoni jetën tuaj! Unë garantoj humbje automatike peshe prej 12 kg për 4 javë
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Çlirohuni nga kilogramët e tepërt dhe vazhdoni jetën tuaj! Unë garantoj humbje automatike peshe prej 12 kg për 4 javë”- është publikuar në një faqe të internetit që rrejshëm prezantohet si media e Kosovës Kosovo-online.com. Në këtë artikull janë cituar mjekë fiktivë që nuk janë të regjistruar si mjekë në Kosovë dhe as nuk janë pjesë e Universitetit të Prishtinës siç pretentohet në artikull. Edhe suplementi që reklamohet nuk ka autorizim të marketingut nga Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale, i nevojshëm për tregtim në Kosovë.
Artikulli
Më 20.08.2024 faqja në Facebook ‘Spring Roll’ (arkiva) ka publikuar një informacion që pretendon se një çaj ndihmon në humbjen e peshës.
“Lamtumirë bark”- shkruan në titullin e këtij artikulli.
Në infografikën e publikuar i është bashkëngjitur edhe çaji “Apolloss”.
Artikulli i njëjtë por me titull “Çlirohuni nga kilogramët e tepërt dhe vazhdoni jetën tuaj! Unë garantoj humbje automatike peshe prej 12 kg për 4 javë”- është publikuar edhe në faqen e internetit ‘health-du.world/bursh’ (arkiva) e cila ka dizajnin dhe llogon e faqes së internetit “Kosovo-Online.com”.
Krypometër ka kontrolluar lajmet e publikuara në Kosovo-Online, mirëpo aty nuk është publikuar asnjë lajm me këtë titull.
Krypometër ka kontaktuar me kryeredaktorin e portalit Kosovo-Online.info, Ivica Simiq, i cili ka thënë se “kjo faqe nuk është e portalit Kosovo-Online” dhe i njëjti artikull nuk është publikuar në portalin e tyre.
Artikulli citon “HOXHA Agron Arben”, që pretendohet se është profesor i mjekësisë në Departamentin e Kirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.
Krypometër, fillimisht ka kontrolluar listën e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe aty nuk ka asnjë mjek me emrin Arben Hoxha, Agron Hoxha apo ‘HOXHA Agron Arben’.
Mjekët nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë nëse nuk janë pjesë e Odës së Mjekëve, pasi një gjë të tillë e kërkon neni 8 i Ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësor.
Lista e gjithë mjekëve të licencuar dhe që mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë është e publikuar në ueb-faqen e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Krypometri ka kontrolluar edhe në ueb-faqen e Fakultetit të Mjekësisës të Universitetit të Prishtinës, por nuk ka gjetur ndonjë profesor apo asistent me këta emra.
Për më tepër, fotografia e prezantuar në artikull si doktori Arben/Agron Hoxha, pas kërkimit në ‘Google Lens’ rezulton se i takon Dmytro Zavertylenko, kirurg nga Ukraina.
Krypometri ka kërkuar edhe tek lista e barnave që kanë autorizim marketingu në Kosovë nëse “Apolloss” është i lejuar për t’u shitur dhe tregtuar në Kosovë.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë rezulton se produkti “Apolloss” nuk është në listën e ilaçeve me autorizim marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së autorizimit për marketing nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”.
Krypometër ka pyetur nutricionisten Dhurata Halabaku lidhur me këtë suplement që rekomandohet përmes këtij shkrimi.
“Ne nuk i rekomandojmë këto suplemente, por po bijnë pre shumë persona nga këto reklama në internet. Për të parë se prej çfarë po vjen pesha e tepërt, duhet hulumtuar, analiza, etj”- tha Halabaku.
|