schema:text
| - Oferta të rreme për kredi me 2% kamatë nga faqet e rreme
Deklarata
Ne ofrojmë kredi për njerëzit serioze që kanë nevoje për të realizuar projekt. Na kontaktoni
Vlerësimi
Rrenë
Është e rreme fushata për dhënie të kredive me mbishkrimin “Ne ofrojmë kredi për njerëzit serioze që kanë nevoje për të realizuar projekt. Na kontaktoni”. Faqja ‘Oferta kredi’ (arkiva) nuk ka të publikuar asnjë informacion rreth saj dhe e njëjta nuk është e licensuar nga Banka Qendrore e Kosovës. Ligji thot se vetëm institucionet e licensuara nga BQK-ja mund të lëshojnë kredi për qytetarët. Në një përgjigje të BQK-së, është thënë se ka postime të rreme nga institucionet e palicensuara për gjoja lëshimin e kredive.
Artikulli
Më 14.11.2024, faqja në Facebook ‘Oferta kredi’ (arkiva) ka publikuar një ofertë për kredi, duke e publikuar edhe një infografikë.
“Ne ofrojmë kredi për njerëzit serioze që kanë nevoje për të realizuar projekt. Na kontaktoni”- shkruan në infografikën e publikuar.
Përmes kërkimit në ‘TinEye’, Krypometër ka gjetur se fotografia që është publikuar në këtë infografikë, mund të blihet online për ilustrim të punëve në zyrë.
Krypometër ka kontrolluar informacione për këtë faqe në Facebook, dhe rezulton se kjo faqe është krijuar më 14.11.2024 dhe aty nuk është as adresa e saj e as ndonjë numër kontaktues.
Në mungesë të numrave kontaktues, Krypometër i ka shkruar faqes ‘Oferta kredi’ (arkiva), për të pyetur për kreditë që ata i ofrojnë. Në një përgjigje të shpejtë, ata kanë thënë se ofrojnë kredi me norma të interesit prej 2%.
“P.sh. Shuma e kredisë: 5000 euro. Kohëzgjatja e kredisë: 48 muaj. Norma vjetore e kredisë: 02%. Fillimi i kredisë: 2 / 2025. Pagesa mujore e kredisë: 108.48”- thuhet në përgjigjen e kësaj faqeje.
Përveç kësaj, Krypometër ka kontrolluar publikimet e bëra nga Banka Qendrore e Kosovës dhe ka gjetur raportin me informacionet për Sistemin Financiar për muajin shtator 2024. Në këtë raport, thuhet se norma mesatare e Interesit për kreditë e lëshuara nga Bankat Komerciale ishte 6.1%.
Bazuar në Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jo-bankare, të gjitha institucionet që kanë të drejtë dhënien e kredive duhet të licensohen, paraprakisht nga Banka Qendrore e Kosovës. Për licensim nga BQK-ja, institucioneve ju kërkohen të plotësojnë një varg obligimesh që i kërkon Ligji.
Për të verifikuar nëse ky institucion është i licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës, Krypometri ka shikuar listën e institucioneve të regjistruara financiare .
Në këtë listë të BQK-së, nuk ekziston ndonjë institucion financiar i quajtur ‘Oferta kredi’.
Në një përgjigje me shkrim BQK, ka lutur qytetarët që të mos bien pre e këtyre postimeve që mund të jenë të rrezikshme.
“Postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët. Me këtë ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion, për t’i larguar këto njoftime”- thuhet në përgjigjen e BQK-së.
|