schema:text
| - Kamala Harris ende nuk është nominuar nga Partia Demokratike si kandidate për Presidente të SHBA-ve
Deklarata
Harris do të garojë në vend të Bidenit në zgjedhje presidenciale
Vlerësimi
Me kos
Postimi me titull “Harris do të garojë në vend të Bidenit në zgjedhje presidenciale” është i pasaktë, pasi Kamala Harris, nënpresidentja aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ende nuk është nominuar nga Partia Demokratike si kandidate për Presidente të SHBA-ve. Që të nominohet si kandidate për Presidente, Harris duhet të marrë përkrahjen e shumicës së delegatëve në kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike që pritet të mbahet nga 19-22 gusht 2024, në Çikago, Illinois. Harris ka marrë përkrahjen e Biden në garën për të marrë nominimin nga Partia Demokratike si kundërkandidate e ish-Presidentit Donald Trump.
Artikulli
Më 21.07.2024, portalet Mitropol (arkiva) dhe Indeksonline (arkiva) publikuan artikujt me titull “Harris do të garojë në vend të Bidenit në zgjedhje presidenciale”.
Portalet pretendojnë se zëvendëspresidentja aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, do të garojë në zgjedhjet presidenciale, duke e bërë kandidaturën e saj si çështje të kryer.
Megjithatë, Harris ende nuk është zyrtarisht e nominuar nga Partia Demokratike si kandidate për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet që pritet të mbahen më 05.11.2024.
CNN rapoton se megjithë mbështetjen e presidentit Biden për zëvendëspresdidenten, mbetet e paqartë nëse Harris do të bëhet kandidate, ose çfarë procesi do të ndërmerrte Partia Demokratike për të zgjedhur një alternativë. Tani zgjedhja e kandidatit për President pritet të bëhet nga delegatët e kuvendit kombëtar të Partisë Demokratike që pritet të mbahet, në gusht të këtij viti në Çikago.
Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik, Jaime Harrison, tha në një deklaratë se në ditët në vijim partia do të “ndërmerrë një proces transparent dhe të rregullt për të ecur përpara si një Parti Demokratike e bashkuar me një kandidat që mund të mposhtë Donald Trumpin në nëntor”.
Kamala Harris, ndonëse është nënpresidente dhe ka përkrahjen e Presidentit Biden, nuk e fiton me automatizëm nominimin pasi këtë do ta merrë vetëm nga delegatët që do të jenë pjesë e kuvendit kombëtar të Partisë Demokratike.
CNN deri më tani ka qenë në gjendje të identifikojë më shumë se 500 miratime për zëvendëspresidenten Kamala Harris nga delegatët demokratë.
Këtë vit pritet të jenë mbi 4,600 delegatë në mesin e demokratëve.
Një kandidat, për të fituar nominimin, duhet të fitojë shumicën e votave, pra më shumë vota sesa të gjithë kandidatët tjerë së bashku.
Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk arrinë një shumicë të tillë, atëherë do të duhen të mbahen disa runde votimesh për të arritur këtë lloj shumice.
Pas tërheqjes së Bidenit, delegatët do të jenë të lirë të vendosin se për kë do të votojnë, dhe kështu do të hapet rrugë për një garë për kandidatët demokratë për të fituar nominimin.
Mbështetja nga Biden
Joe Biden i ka ofruar mbështetjen e tij Kamala Harrisit që të jetë kandidatja e demokratëve për Presidente në zgjedhjet që pritet të mbahen më 05.11.2024.
Presidenti aktual i ShBA-ve, më 21.07.2024 ka njoftuar se është larguar nga gara për zgjedhjet presidenciale.
“Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte të zgjedh Kamala Harris si zëvendëspresidente. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e nominuara e partisë sonë këtë vit”- ka shkruar ai në Facebook.
Përmes një deklarate të lëshuar në rrjetet sociale, Biden ka thënë se beson që tërheqja nga gara është në interesin më të mirë për Partinë Demokratike dhe SHBA-në, në mënyrë që të fokusohet tërësisht në kryerjen e mandatit që ka aktualisht.
Ky vendim vjen pas thirrjeve në rritje për largim të Bidenit nga gara për zgjedhjet e nëntorit, sidomos pas një debati që ka zhvilluar me kandidatin e republikanëve për president, Donald Trump, në të cilin nuk ka pasur performancë të mirë.
Biden e ka mposhtur Trumpin më 2020, duke garantuar fitore në shtetet kritike si Pensilvania, Uiskonsin dhe Miçigan.
Konventa e Demokratëve, në të cilën emërohet zyrtarisht kandidati për president, do të mbahet më 19-22 gusht në Çikago, Illinois.
Nëse zgjidhet si kandidate demokrate, Harris, 59-vjeçare, ish-prokurore dhe senatore e Kalifornisë, do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në historinë amerikane, që do të garojë për presidente.
|