Pretendimi i rremë për deputeten Ganimete Musliu
Deklarata
Komandanti i njësisë speciale “Qershijat”
Vlerësimi
Rrenë
Përshkrimi i fotografisë së deputetës Ganimete Musliu, ‘Komandanti i njësisë speciale “Qershijat’ është i rremë. Deputetja Musliu ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë komandante e njësisë speciale.
Artikulli
Më 15 korrik 2023, faqja në Facebook ‘Diaspora Vetëvendosje’ ka publikuar një fotografi të deputetes së PDK, Ganimete Musliu.
Në përshkrimin e fotografisë së publikuar, kjo faqe ka shkruar ‘Komandanti i njësisë speciale “Qershijat’.
Pretendimi se Ganimete Musliu është ‘komandante’ e ndonjë njësie është i rremë.
Krypometri ka kontaktuar me deputeten Ganimete Musliu, e cila ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë komandante e njësisë speciale si pretendohet në këtë postim.
Ajo ka thënë se postime të tilla po bëhen për të denigruar figurën e saj.
“E konfirmoj se është një montazh dhe pretendim i rremë për të denigruar figurën time. Kjo faqe vazhdimisht merret me postime të tilla”– ka thënë për KALLXO.com deputetja Musliu.
Fotografia është realizuar gjatë kohës kur deputetja Musliu ka marrë pjesë në protestën e organizuar para qeverisë së Kosovës, me 15 korrik 2023, për të kundërshtuar vendimin e Kuvendit të Kosovës që lartësia e pensionit të veteranit të mos jetë e njëjtë me pagën minimale në Kosovë.