schema:text
| - Rrena për vdekjen e dy kosovarëve në një aksident në Shqipëri
Deklarata
Dy vëllezër humbën jetën: Momenti i aksidentit tragjik në tunelin e Kalimashit
Vlerësimi
Me kos
Lajmi i publikuar më 08.03.2024 se “dy vëllezër humbën jetën: Momenti i aksidentit tragjik në tunelin e Kalimashit” është i rremë. Zëdhënësi i Policisë së Shqipërisë, Gent Mullai, ka thënë më 07.03.2024 dhe 08.03.2024 nuk ka ndodhur aksident me dy të vdekur në tunelin e Kalimashit. Krypometër ka gjetur se aksidenti me dy të vdekur në tunelin e Kalimshit, që është prezantuar si aktuale, ka ndodhur më 18.10.2023 (Arkivi). Kjo konfirmohet edhe nga postimi i bërë nga familjari i viktimave të këtij aksidenti.
Artikulli
Më datë 08.04.2024, faqja në Facebook “Gazeta Shqip” (Arkivi) ka publikuar një postim në titull: “Dy vëllezër humbën jetën: Momenti i aksidentit tragjik në tunelin e Kalimashit”.
I njëjti artikull është publikuar gjatë muajit mars 2024 edhe në disa faqe të tjera, si: “Lajme Shqip” (Arkivi), “Gazeta Shqip” (Arkivi), “Portali Press” (Arkivi), “Ggrge” (Arkivi), “Insajderi” (Arkivi), “Revista 360” (Arkivi), “TV7 Shqip” (Arkivi), “Gazeta TIME” (Arkivi), “Lajme Shqip” (Arkivi), “TV7 Media” (Arkivi), “News 57 Daily” (Arkivi) dhe “Revista Javore” (Arkivi).
Edhe pse në titull është paralajmëruar se do të publikohet momenti i aksidentit tragjik, në artikull nuk është bashkëngjitur asnjë video.
Në artikull thuhet se “Sadik e Nesret Osmani, përkatësisht 58 dhe 45 vjeç janë dy vëllezërit nga Kosova që humbën jetën në aksidentin tragjik në tunelin e Kalimashit”.
Krypometër fillimisht ka kontrolluar faqen zyrtare të Policisë së Shqipërisë, dhe më 07.03.2024 dhe 08.03.2024 nuk është publikuar asnjë informacion për aksident me fatalitet në tunelin e Kalimashit.
Krypometër më pas ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë së Shtetit, Gent Mullai, i cili ka mohuar të ketë ndodhur ndonjë aksident me dy të vdekur në tunelin e Kalimashit, më 07.03.2024 apo 08.03.2024.
“Jo, nuk kemi pasur një rast të tillë në datat e lartcekura”- është përgjigjur Mullai në pyetjen nëse ka ndodhur ndonjë aksident me dy të vdekur në tunelin e Kalimashit më 07.03.2024 apo 08.03.2024.
Më pas, përmes kërkimeve në Facebook, Krypometër ka kërkuar për emrat e personave për të cilët lajmi thot se kanë vdekur në aksident.
Përmes një postimi që kishte bërë një nga familjarët e viktimave, më 19.10.2023 (Arkivi) ishte njoftuar për vdekjen e dy vëllëzërve. Familjari në Facebook (Arkivi) kishte njoftuar se dy viktimat kanë vdekur në aksident trafiku.
Në media, më 19.10.2023 ishte publikuar një lajm se dy qytetarë nga Kosova kanë vdekur në një aksident trafiku në tunelin e Kalimashit (Arkivi).
Aksidenti ishte konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Shqipërisë, Gent Mullai.
“Në lidhje me aksidentin e ndodhur në tunelin e Kalimashit, ku u përfshinë në një aksident rrugor automjetet tip “Benz” me drejtues shtetasin A. B., banues në Tropojë, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin I. L, banues në Kosovë, dhe autoboti me drejtues shtetasin Sh.S, banues në Kosovë, ju informojmë se shtetasit që kanë humbur jetën janë S.O, 58 vjeç, dhe N. O, 45 vjeç, banues në Kosovë, pasagjerë në automjetin tip “Ford””- kishte bërë të ditur Mullai (Arkivi).
Mediat kishin publikuar një video (Arkivi) nga kamerat e sigurisë që tregonte momentin e aksidentit.
|