schema:text
| - Fotografia e manipuluar e Hashim Thaçit me Aleksandër Jabllanoviq
Deklarata
Fotografia në të cilën shihet ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me kryetarin i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jablanoviq
Vlerësimi
Rrenë
Është e manipuluar fotografia në të cilën shihet ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me kryetarin i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jablanoviq. Në fotografinë reale, ish-Presidenti Hashim Thaçi është me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq gjatë takimit në Samitin e BE-së. Kurse, Jablanoviq së bashku me anëtarët e tjerë të partisë Lista Serbe është fotografuar në kohën kur i njëjti ishte shkarkuar nga pozita e ministrit nga ish-Kryeministri, Isa Mustafa.
Artikulli
Më 17.11.2024, një profil në Facebook ka publikuar fotografinë (arkiva) e ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me kryetarin e Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.
Krypometër përmes Pim Eyes, që është maqinë që kërkon fotografitë përmes identitifikimit të fytyrave, ka verifikuar se fotografia reale është bërë gjatë samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor që ishte organizuar në Sofje të Bullgarisë më 18.05.2018.
Tutje Krypometër përmes kërkimit në internet ka gjetur edhe fotografinë reale në të cilën shihet kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jablanoviq. Fotografia rezulton se është realizuar në kohën kur Jablanoviq ishte pjesë e partisë Lista Serbe dhe në fotografinë reale nuk është ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Krypometër ka kontaktuar edhe Artan Behramin, me ish-këshilltarin e presidentit Thaçi. Ai ka thënë se të dyja fotografitë janë të manipuluara me qëllim të dezinformimit.
“Këto janë fotografi të manipuluara me qëllim të dezinformimit. Prandaj këto foto janë të montuara, rrjedhimisht, të rrejshme”- është shprehur Behrami për Krypometrin.
Fotografia ishte realizuar në kohën kur Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Isa Mustafa, e kishte shkarkuar nga detyra ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviq.
Ish-Kryeministri Mustafa e kishte shkarkuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviq, pasi i njëjti i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 06.01.2015.
Në kohën kur ishte shkarkuar Jablanoviq, Hashim Thaçi ishte zv.Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryesues i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.
Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Kosovës, pozitë që e mbajti deri në vitin 2014.
Më 26.02.2016, Hashim Thaçi ishte zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Ai nuk arriti të çojë deri në fund mandatin e presidentit, pasi më 05.11.2020 u transferua në Hagë, me urdhër të Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij.
Më 03.04.2023 ka filluar gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Themelimi i këtij institucioni u bë më pas nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa aktakuzat e para u konfirmuan në pjesën e dytë të vitit 2020.
|