schema:text
| - Keqcitimi i ministres Haxhiu për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit
Deklarata
Haxhiu: Mbrëmë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë
Mbrëmë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i IML-së
Vlerësimi
Me kos
Disa media e kanë keqcituar deklaratën e ministres Albulena Haxhiu në konferencën e jashtëzakonshme për media në të cilën ka folur për zhdukjen e mostrave nga rasti i Astrit Dehari të cilat kanë qenë të ruajtura në eproveta në Laboratorin e toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore. Ministrja nuk ka thënë që “mbrëmë janë zhdukur mostrat” por ka thënë që mbrëmë është njoftuar për zhdukjen e mostrave.
Artikulli
Në një konferencë të jashtëzakonshme, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se mbrëmë e kanë kuptuar se mostrat e Astrit Deharit janë zhdukur nga Laboratori i toksikologjisë në kuadër të Institutit për Mjekësi Ligjore.
“Mbrëmë në orët e vona jam informuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë në kuadër të IML-së. Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në raksat apo mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit, nga këto Instituti dy epruveta me gjak ia ka dhënë Institutit Zviceran dhe një Policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit” – shtoi ministrja Haxhiu.
Pjesa e deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në të cilën tha që mbrëmë ka kuptuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit u këqcitua nga disa media.
Ajo ka thënë se “mbrëmë në orët e vona jam informuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë në kuadër të IML-së” derisa disa meda ia kanë mveshur ministres deklaratën “mbrëmë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit”.
Disa prej tyre e keqcituan ministren në titull, e disa të tjera në deklaratat brenda artikujve të tyre. Ato që e kanë vendosur në titull pas pak minutave e kanë ndryshuar, por titulli i keqcituar është ruajtur në Google apo edhe në linqet e artikujve.
Mediat online Telegrafi, Koha.net fillimisht në titujt e tyre e kishin cituar ministren Haxhiu të ketë thënë “Mbrëmë janë zhdukur mostrat …” por më pas i kanë ndryshuar titujt e artikujve.
Titulli i artikullit te Telegrafi.com është bërë “Haxhiu: Mbrëmë jam njoftuar se janë zhdukur …” ndërsa te Koha.net artikulli ka titullin “Haxhiu: Janë zhdukur mostrat …”.
Edhe Top-Channel dhe Indeksonline, në përmbajtën e artikullit kanë keqcituar deklaratën e ministres Haxhiu duke shkruar “mbrëmë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i toksikologjisë”.
Ndërsa media online “Insajderi” e ka publikuar në faqen e saj në Facebook një fotografi të ministres Albulena Haxhiu me përshkrimin “Mbrëmë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë”.
Në fakt ministrja Albulena Haxhiu në konferencë theksoi që nuk dihet se nga cila datë mungojnë këto mostra, mungesa e të cilave është vërejtur dje, më datë 7 dhjetor 2022.
“Në momentin kur dosjet sistemohen vetëm kur ka kërkesa nga Prokuroria pastaj ata mund të shohin dhe t’i ndajnë më Prokurorinë mostrat, dhe sipas informacioneve që nga tetori i vitit 2021 nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat, sepse kështu e kanë sistemin. Dje në momentin që e kanë bërë këtë bartje të mostrave e kanë kuptuar që mungojnë mostrat, nuk dihet kur” – tha ajo.
Ministrja në konferencë ka treguar se prej kur nuk janë kontrolluar mostrat.
“Që nga tetori i vitit 2021 nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat, sepse kështu e kanë sistemin dhe tek dje në momentin qe e kanë bërë bartjen e tyre e kanë kuptuar që mungojnë” – tha Haxhiu në konferencë për media.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka konfirmuar se kanë pranuar informacione për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe kanë filluar hetimet lidhur me rastin.
Këtë vit janë bërë 6 vite nga vdekja e mistershme e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Më 5 nëntor të vitit 2016, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.
Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.
Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re. Në lidhje më këtë ekspertizë, PSRK me anë të një njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.
|