schema:text
| - Parulla e modifikuar e Kryetarit të të Rinjve të PDK
Deklarata
“Në qoftë se është nevoja, deri në Vushtrri ia japin Serbisë, vec Albinin me hjek prej Qeverisë- PDK”.
Vlerësimi
Rrenë
Është e manipuluar fotografia e Kryetarit të të Rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës, Trim i cili është duke e mbajtur një pankartë që shkruan: “Në qoftë se është nevoja, deri në Vushtrri ia japin Serbisë, vec Albinin me hjek prej Qeverisë- PDK”. Trim Syla është Kryetar i të Rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe është autor i aktiviteteve të quajtura #TrimiMeParullë, në kuadër të PDK. Krypometër ka gjetur fotografinë reale të publikuar më 25.01.2023 e në parullë është shkruar “Rritet tatimi, pasurohet Martini!”. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se fotografia është e manipuluar.
Artikulli
Më 29.01.2025, një profil në Threads e ka publikuar një video (arkiva) në të cilën shihet Trim Syla, Kryetar i të Rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)- Dega në Prishtinë.
Në këtë material pretendohet se Syla mbanë një pankartë me mbishkrimin “Në qoftë se është nevoja, deri në Vushtrri ia japin Serbisë, vec Albinin me hjek prej Qeverisë- PDK”.
Krypometër ka analizuar profilin në Facebook të Trim Sylës dhe ka gjetur mbishkrimin origjinal të pankartës. Në foton e publikuar më 25.01.2023, në parullë është shkruar “Rritet tatimi, pasurohet Martini!”.
Trim Syla është Kryetar i të Rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)- Dega në Prishtinë. Ai këtë pozitë e ka marrë para dy vjetëve.
Syla është autor i aktiviteteve të quajtura #TrimiMeParullë, në kuadër të PDK. Disa prej këtyre shkrimeve në parullat e Sylës përmbajnë: “Rritet tatimi, pasurohet Martini”, “Me pare të tatimit blejnë rrymë t’Martinit”, “Martin veç vonim se s’ka pshtim”, “Sa e ka koeficientin Martini”, etj..
Edhe në fushatë zgjedhore ai është parë me pankarta me mbishkrimet “Klina ka puls”, “Peja ka puls”, “Suhareka ka puls”, etj..
Më tej, Krypometër ka kontaktuar edhe me Zyrën për Media në PDK. Teuta Berisha nga ky subjekt ka thënë se përmbajtja e publikuar në TikTok është e manipuluar dhe propagandë.
“Përmbajtje e manipuluar që përmban edhe gjuhë të urrjetjes.”- ka thënë Berisha për Krypometër.
Reagimi për Martin Berishajn
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro të një Kompanie private në Mal të Zi.
Sipas mediumit slloven “Planet TV”, Kompania private është në pronësi të tij. Pavarësisht thirrjeve për shkarkim të tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vet Berishaj ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar.
Vitet e kaluara, shkarkimi i Berishajt u kërkua edhe me protesta para Qeverisë së Kosovës, mirëpo nga drejtuesit e MPJD nuk pati lëkundje besimi në të. Përkundrazi, lajmi për “skandalin” u tha se nuk është i vërtetë.
Më 29.03.2024, ambasadori Berishaj pati përfunduar intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale pas disa orë qëndrimi brenda. Berishaj po dyshohet për 3 vepra të ndryshme penale.
“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale: ‘shpërlarja e parave’, ‘shmangia nga tatimi’ dhe ‘mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’.”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Mirëpo, avokati i tij Tomë Gashi kishte thënë se deklarata e Ambasadorit ishte konfidenciale dhe nuk e ka ndarë përmbajtjen e saj.
“Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale. Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mund t’ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate.”- kishte thënë Gashi.
Martin Berishaj shërben si Ambasador i Kosovës në Kroaci që nga viti 2021.
|