schema:text
| - Rrena se partitë opozitare e kanë falënderuar Vuçiqin për lirimin e tre policëve
Deklarata
E gjithë LDK-ja, e gjithë PDK-ja, e gjithë AAK-ja e kanë falenderuar nga zemra Vuçiçin për lirimin e policëve që i kindapoi Albin Kurti
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “E gjithë LDK-ja, e gjithë PDK-ja, e gjithë AAK-ja e kanë falenderuar nga zemra Vuçiçin për lirimin e policëve që i kindapoi Albin Kurti” është i rremë. KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarët e tri partive opozitare, të cilat e kanë mohuar se i janë falenderuar Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për lirimin e tre policëve. Liderët e tri partive opozitare (PDK, LDK dhe AAK), në postimet e tyre me rastin e lirimit të policëve i kanë falenderuar ndërkombëtaret për angazhimin e tyre për lirimin e tyre.
Artikulli
Më 26 qershor 2023, faqja e facebook-ut “Maqedonia Shqiptare”, e ka publikuar një postim me përshkrim “E gjithë LDK-ja, e gjithë PDK-ja, e gjithë AAK-ja e kanë falenderuar nga zemra Vuçiçin për lirimin e policëve që i kindapoi Albin Kurti”.
I njëjti informacion është shpërndarë edhe në faqen “Televizioni SuperSky” dhe në grupin “Thënie të mençura” dhe “Diaspora Kombëtare e Shqiptarisë”.
Së bashku me përshkimin është publikuar një fotografi në të cilën janë liderët e tri partive opozitare: Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).
Në këto postime nuk është dhënë asnjë fakt që e mbështet konstatimin e bërë.
KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarët e tri partive politike që janë përmendur në këtë postim.
Valmir Klaiqi, zëdhënësi i PDK-së, ka thënë se këto pretendime janë të rreme. Ai ka thënë se kjo mund të verifikohet, pasi deklarata zyrtare e PDK-së për lirimin e tre policëve është publikuar në faqen e kryetarit të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.
“Ky është Fake News sikur shumë të tjera që po shpërndahen. Deklarata zyrtare e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me lirimin e tre policëve të kidnapuar nga shteti serb është publikuar në faqen zyrtare të Facebook-ut të kryetarit Memli Krasniqi”- ka thënë Klaiqi.
Në postimin e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi në asnjë vend nuk falenderohet Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq por, vetëm ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
“Falënderoj të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët u angazhuan dhe luajtën një rol vendimtar në këtë proces. Tani, radha është për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje, përmes veprimeve të matura dhe të përgjegjshme politike”- thot Krasniqi në këtë postim.
Zëdhënësja e LDK-së. Sibel Halimi i ka quajtur si informacione të rreme pretendimet e faqes “Maqedonia Shqiptare”.
“Është i rremë. LDK nuk ka pasë një deklaratë të tillë”- ka thënë Halimi në një bisedë me KALLXO.com.
Përmes një reagimi në Facebook, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku të hënën ka mirëpritur lajmin për lirimin e tre policëve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur lajmin për lirimin e tre policëve tanë, Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemsi Mustafa, të cilët 12 ditë më parë u kidnapuan nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, në një akt të agresionit luftënxitës”- thuhet në postim.
Në këtë reagim, Abdixhiku ka falënderuar ndërkombëtarët dhe në deklaratën e tij nuk përmendet Vuçiq ashtu siç kanë pretenduar faqet.
“Sot, falënderojmë të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, që në vazhdimësi kanë dënuar aktin e Serbisë, sikurse dhe kanë shtuar presionin për lirimin e menjëhershëm të tyre. Në veçanti, falënderojmë qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për angazhimin e tyre”- është shprehur kreu i LDK-së.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili tha se kjo parti nuk e ka falenderuar Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin.
“Lidhur me lajmin që referoheni, është i pa vërtetë”- ka deklaruar Xhemaili për KALLXO.com
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka mirëpritur lirimin e tre policëve.
“Policia e Kosovës nuk duhet të paguajë çmim për veprimet e papërgjegjshme e kalkuluese politike të regjimit në Serbi, apo të veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë në Prishtinë, e cila çoi në rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj, për më shumë se dhjetë ditë”- ka shkruar Haradinaj.
As në postimin e ish-kryeministrit Haradinaj, nuk është parë ndonjë falënderim për presidentin serb, por vetëm për amerikanët.
“Lirimi i tyre është bërë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane, prandaj gjithë falënderimi dhe mirënjohja jonë shkon për ta”- ka deklaruar Haradinaj.
Arrestimi i policëve
Policia e Kosovës më 14 qershor 2023 kishte thënë se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë kidnapuar nga autoritetet serbe. E Serbia kishte thënë se policët janë arrestuar në territorin e Serbisë. KFOR-i përmes një njoftimi për media ka thënë se mbetet e paqartë vendnodhja se ku gjendeshin policët e Kosovës kur janë ndaluar nga policia e Serbisë.
Policia e Kosovës (PK), kanë thënë se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dyshojnë që zyrtarët e Policisë së Kosovës janë rrëmbyer si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviq – Lune.
Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën (13.06.2023) nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.
Tre policëve të Kosovës iu shqiptua masa e paraburgimit nga Gjykatën e Lartë në Kralevë pas kërkesës së prokurorit publik. E njëjta gjykatë ka vendosur që ndaj tre policëve të ndërpritet paraburgimit dhe të njëjtit të vazhdojnë të mbrohen në liri.
|