schema:text
| - Rrena se rrudhat zhduken me tre përbërës kuzhine
Deklarata
“Lajm i mirë: Ja si te hiqni rrudhat e qafës dhe gusha e varur me këtë recetë / 𝗟𝗮𝗷𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗽𝗹𝗼𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗲𝗻𝘁”
Vlerësimi
Me kos
Postimi me titull “Lajm i mirë: Ja si te hiqni rrudhat e qafës dhe gusha e varur me këtë recetë / 𝗟𝗮𝗷𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗽𝗹𝗼𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗲𝗻𝘁”- nuk është i bazuar në fakte shkencore. Dermatologët thonë se një recetë me mjaltë, vezë e banane nuk mund t’i largojë rrudhat e moshës. Dermatologia Fatime Kokollari ka thënë se këta përbërës vetëm mund ta ushqejnë lëkurën, por jo t’i heqin rrudhat në këtë moshë. Kurse dermatologia tjetër Nexhmije Kusari ka thënë se lëkura pëson ndryshime drastike pas moshës 45-vjeçare, të cilat mund të trajtohen vetëm përmes operimeve.
Artikulli
Më 24.09.2024 faqja në Facebook ‘Maringlen’ (arkiva) ka publikuar një artikull me titullin “Lajm i mirë : Ja si te hiqni rrudhat e qafës dhe gusha e varur me këtë recetë / 𝗟𝗮𝗷𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗽𝗹𝗼𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗲𝗻𝘁”.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në faqen e internetit “xnews7.com” (arkiva), në të cilin pretendohet se receta për largimin e rrudhave është me banane, vezë e mjaltë.
Krypometri po ashtu ka kontrolluar domenin e ueb-faqes xnews7.com, e cila është krijuar më 20.12.2022. Në këto të dhëna emri i pronarit është privat dhe as emri i shtetit në të cilin është regjistruar nuk përmendet.
Për të verifikuar këtë pretendim, Krypometër ka biseduar me dermatologen, Fatime Kokollari, e cila tha se në këtë recetë nuk ka asgjë shkencore.
Kokollari ka thënë se është e pamundur që të zhduken rrudhat me këta përbërës.
Ajo ka thënë se përbërës të tillë mund të ushqejnë lëkurën, mirëpo nuk mund t’i largojnë rrudhat e moshës.
“Këta përbërës vetëm mund ta ushqejnë lëkurën, por jo t’i heqin rrudhat në këtë moshë, s’ka asgjë shkencore.”- ka thënë Kokollari.
Edhe dermatologia tjetër, Nexhmije Kusari, ka thënë se është i pamundur trajtimi i rrudhave me këta përbërës.
“Jo, nuk hiqen rrudhat me maska sidomos në këtë moshë, hidratohet lëkura pak, por nuk ka ndonjë efekt tjetër.”- ka thënë ajo.
Sipas saj, në moshë të shtyrë trajtimi i rrudhave mund të bëhet vetëm përmes operimeve.
“Veç operimet mund të kenë rezultat të kënaqshëm. Botox dhe fillerat bëjnë efekt në atë moshë, por maskat, as që vjen në shprehje.”- ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se lëkura pëson ndryshime drastike pas moshës 45-vjeçare.
“Pas moshës 45-vjeçare vjen tek ndryshimet drastike të lëkurës. Kolagjeni reduktohet dukshëm, muskujt dobësohen, indi dhjamor reduktohet dhe shumë ndryshime të tjera ndodhin në lëkurë për shkak të veprimeve e faktorëve të jashtëm e brendshëm”- ka thënë dermatologia Nexhmije Kusari.
|