schema:text
| - Rrena për përleshjen e deputetit Bekim Haxhiu me zyrtarët e Feronikelit
Deklarata
Momenti kur Bekim Haxhiu shihet duke goditur zyrtarin e Feronikelit në stadiumin “Riza Lushta” (VIDEO)
Vlerësimi
Rrenë
Vlerësimi: Deputeti Bekim Haxhiu nuk është përfshirë në përleshje fizike me zyrtarët e klubit Ferronikeli. Personi të cilit Haxhiu shihet duke e goditur dhe ndalur është nipi i tij. Kjo është konfirmuar nga dy personat e përfshirë në incident. Haxhiu ka thënë se i ka ndarë që mos të ketë përleshje.
Artikulli
Pas ndeshjes finale në mes të KFF Mitrovica- KFF Feronikeli, në tribunat e stadiumit kishte një incident. Nga një video e shpërndar më 29 qershor nga Sporti në KlanKosova shihet që në incident ka qenë i përfshirë edhe deputeti, Bekim Haxhiu.
KlanKosova nuk kishe dhënë detaje se kush ishin zyrtarët e përfshirë në incident, por portalet tjera duke e zgjeruar lajmin se deputeti i Kosovës, Bekim Haxhiu e ka goditur një zyrtar të Feronikelit me këtë titull: “Momenti kur Bekim Haxhiu shihet duke goditur zyrtarin e Feronikelit në stadiumin “Riza Lushta” (VIDEO)”
GazetaInfokus, kishte shkruar se nga burimet e tyre personi i goditur nga Bekim Haxhiu është Rabip Veseli, zyrtar i klubit të Feronikelit.
Gazeta “Persikopi”, me të njëjtin titull kishte raportuar njejtë si “InFokusi”, se Bekim Haxhiu, e kishte goditur Ragip Veselin.
Por, Bekim Haxhiu për KALLXO.com, kishte thënë se personin që shihet në video është djali i vllaut të tij dhe se ai kishte ndërhyrë që mos të ketë përleshje me zyrtarët e Feronikelit.
“Ai është djali i vllaut tim që nuk e kam lënë me u përlesh me tjerët, që i kam nda se nuk kam shpërnda asnjë shuplakë, por vetëm i kam ndarë mos me pasë përleshje. Ai është djali i vllaut tim për mos me ra në provokime. Ai është djali i vllaut tem që s’e kam lënë me bo probleme në stadium. Nuk është shuplakë, po e kam tërhek për qafe edhe e kam shtyrë për mos me pasë problem”, ka thënë Bekim Haxhi për KALLXO.com.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar vet djali i vllaut të Bekim Haxhiut, Rinori, duke shkruar se axha i tij e ka ndaluar dhe qetësuar që mos të binte në provokime të zyrtarëve të Feronikelit.
Unë e falenderoj Axhën tim Bekim Haxhiu që më ka qetësuar e qortuar dhe nuk ka lejuar përleshjen me zyrtarët e Feronikelit që provokuan.
“Unë axhës tim Bekim Haxhiu i kërkoj falje që për shkakun tim dhe provokimeve të Feronikelit u detyra të qetësoj situatën, por dashakeqët, faqezinjtë dhe shpifësit për qëllime të caktuara mua më paraqitën qëllimshëm si zyrtar i Feronikelit pa pasur unë asnjë lidhje me atë klub. Unë i jam gëzuar suksesit të KFF Mitrovica që financohet nga Hajrullah Haxhiu, vëllau i Bekim Haxhiut. Axhi im, Bekim Haxhiu, nuk ka sulmuar asnjë zyrtar të Feronikelit, asnjë të ri, personi në video jam unë Rinor Haxhiu, djali i vëllaut të Bekim Haxhiu”, ka shkruar Rinor Haxhiu.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”.
|