schema:text
| - Fotografia e vjetër e Vlora Çitakut në Kishën Ortodokse në Prizren paraqitet rrejshëm si vizitë e saj në Beograd
Deklarata
“Vizita e vlora qitakut në beograd,aju plotesu deshira me Radojqiqin, ’Ksaj Kudre’”
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia e ish-Ministres së Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku para Kishës Ortodokse nuk është realizuar në Serbi si pretendohet në postimin në Facebook me mbishkrimin: “Vizita e vlora qitakut në beograd,aju plotesu deshira me Radojqiqin, ’Ksaj Kudre’”. Fotografia e publikuar së fundmi është realizuar në vitin 2013, gjatë një vizite që ish-mInistrja, Vlora Çitaku i kishte bërë Prizrenit së bashku me zëvendëskryeministrin, Sllobodan Petroviq dhe Përfaqësuesin Special të BE-së dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar. Çitaku ka thënë se është informacion i rremë, se ajo e ka vizituar Beogradin së fundmi.
Artikulli
Më 18.11.2024, një llogari në Facebook (arkiva) ka shpërndarë një fotografi në të cilën shihet Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës.
Postimi pretendon se Çitaku ka shkuar në një vizitë në Beograd.
“Vizita e vlora qitakut në beograd,aju plotesu deshira me Radojqiqin,”Ksaj Kudre””- thuhet në përshkrimin e postimit.
Për të verifikuar këtë pretendim, Krypometër së pari e ka analizuar fotografinë që është publikuar dhe rezulton se e njëjta është bërë kohë më parë dhe se në të, përveç ish-ministres, Çitaku është edhe ish-zëvendëskryeministri, Sllobodan Petroviq dhe Ramadan Muja, ish-kryetar i Komunës së Prizrenit.
Tutje, Krypometër ka kërkuar në internet (arkiva), për vizitën që Çitaku e Petroviq i kanë bërë Kishës Ortodokse në Kosovë dhe ka gjetur një lajm të publikuar në vitin 2013 (arkiva).
Në lajm thuhet se “Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku ka vizituar komunën e Prizrenit për të intensifikuar agjendën evropiane të Kosovës. Ministrja Çitaku ishte e shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Sllobodan Petroviq dhe Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar”.
Më tutje Krypometër ka gjetur edhe komunikatën (arkiva), e lëshuar nga Ministria e Integrimeve Europiane për vizitën e ish-ministres Çitaku, në Prizren.
Sipas një komunikate për media, ajo ishte takuar me përfaqësues të Kishës Ortodokse në Prizren.
“Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku sot ka vizituar komunën e Prizrenit, me këtë rast zonja Çitaku ka dënuar fuqishëm dëmtimin e varrezave ortodokse që kanë ndodhur gjatë këtyre ditëve të fundit në lokacione të ndryshme në Kosovë, sidomos në Prizren. Ministrja Çitaku ishte e shoqëruar nga zëvendës kryeministri z. Sllobodan Petroviq, Përfaqësuesi Special dhe Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Samuel Zbogar”- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Integrimeve Europiane.
“Gjatë kësaj vizite, delegacioni u takua me kryetarin e komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja, dhe me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse në Prizren me të cilët biseduan për incidentet më të fundit në komunën e Prizrenit, ku të gjithë së bashku dënuan fuqishëm këto akte të dhunës. Gjithashtu, Ministrja potencoi rendësinë e informimit të opinionit kundër migrimit ilegal dhe azil kërkimit, por njëkohësisht u diskutua edhe për ri- integrimin e përsonave të riatdhesuar, kritere këto që nëse menaxhohen si duhet i kontribuojnë procesit, por nëse jo dëmtojnë avansimin drejt Liberalizimit të Vizave për Kosovën”- thuhet tutje në komunikatën e publikuar më 22.1.2013.
Krypometër ka kontaktuar me sekretaren e PDK-së, e cila ka thënë se është informacion i rremë, se ajo e ka vizituar Beogradin gjatë këtij viti.
“Është lajm i rremë”- ka thënë Çitaku për Krypometër.
Sipas një biografie të publikuar në ueb faqen e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Vlora Çitaku nga viti 2010 deri në vitin 2014, ka mbajtur pozitën e ministres për Integrime Europiane. Prej vitit 2015 deri në mars të vitit 2021, ajo ka shërbyer si ambasadore e Kosovës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aktualisht, Çitaku mban pozitën e Sekretares së Përgjithshme, në Partinë Demokratike të Kosovës.
|