schema:text
| - Rrena për alarm në veri të Kosovës
Deklarata
Lëshohet alarmi në veri të Kosovës: Serbët dalin kundër serbëve, u hyn ‘shejtani’ në mes
Vlerësimi
Me kos
Titulli i këtij artikulli “Lëshohet alarmi në veri të Kosovës: Serbët dalin kundër serbëve, u hyn ‘shejtani’ në mes”, është i rremë. Titulli i këtij artikulli nuk është në përputhje me përmbajtjen e artikullit. Në artikull nuk flitet për asnjë alarm që është lëshuar në veri të Kosovës. Artikulli flet për pezullimin e pushimeve për punonjësit e institucioneve shëndetësore dhe atyre të arsimit që janë të vendosura në katër komunat veriore me shumicë serbe, të cilët marrin paga nga Qeveria e Serbisë.
Artikulli
Ueb-faqja banglacontent24.com e ka publikuar, kurse faqja në Facebook “Gazeta Aktiv” e ka shpërndarë lajmin, më 26 korrik 2022, me titull “Lëshohet alarmi në veri të Kosovës: Serbët dalin kundër serbëve, u hyn ‘shejtani’ në mes”.
Titulli i këtij artikulli nuk është në përputhje me përmbajtjen e artikullit. Në artikull nuk flitet për asnjë alarm që është lëshuar në veri të Kosovës.
Artikulli flet për pezullimin e pushimeve për punonjësit e institucioneve shëndetësore dhe atyre të arsimit që janë të vendosura në katër komunat veriore me shumicë serbe, të cilët marrin paga nga Qeveria e Serbisë.
Ueb-faqja banglacontent24.com e ka cituar Radio Evropën e Lirë për lajmin që e ka publikuar, por në fakt lajmi në Radio Evropa e Lirë është publikuar më 1 korrik 2022. Titulli i lajmit në REL është ndryshuar dhe është nxjerrë nga konteksti kohor. Mediat nuk duhet të ndryshojnë lajmin që e marrin nga mediat tjera. Me rastin e ripublikimit obligohen të publikojnë informatën pa e nxjerrë jashtë kontekstit si dhe duhet të vendosin edhe linkun e lajmit prej nga e kanë marrë atë.
Ky lajm i publikuar flet se si punonjësit shëndetësorë dhe të institucioneve të tjera në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, në fund të muajit qershor 2022 kishin marrë një “paralajmërim verbal” se nuk mund t’i shfrytëzojnë pushimet e tyre vjetore në periudhën e ardhshme.
Si arsye për një gjë të tillë ishte theksuar “situata politike” pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor 2022 i vendosi Serbisë masat reciproke lidhur me dokumentet personale, si dhe vendimin për riregjistrimin e veturave me tabelat e qyteteve në Kosovë të lëshuara nga autoritetet e Serbisë – në tabela RKS (Republika e Kosovës).
Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës kishte reaguar ashpër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me pretendimet se përfaqësuesit e Listës Serbe e kanë njoftuar atë se nuk do të durojnë më asnjë “kërcënim”.
Pas kësaj, u ndalua shfrytëzimi i pushimeve vjetore për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i Serbisë në veri të Kosovës.
|