schema:text
| - Aksidenti me gjashtë të vdekur nuk ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut
Deklarata
TRONDITËSE/ Aksident me 5 VIKTIMA! Shuhet një familje, vajza 11-vjeçare mbetet jetime pasi… … 𝗟𝗲𝘅𝗼 𝗟𝗮𝗷𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗽𝗹𝗼𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗲𝗻𝘁
Vlerësimi
Me kos
Aksidenti që shihet në fotografinë e publikuar me titull “TRONDITËSE/ Aksident me 5 VIKTIMA! Shuhet një familje, vajza 11-vjeçare mbetet jetime pasi… … 𝗟𝗲𝘅𝗼 𝗟𝗮𝗷𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗽𝗹𝗼𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗲𝗻𝘁”- ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2019. Në Maqedoninë e Veriut apo Kosovë, gjatë muajit korrik 2024 nuk ka ndodhur ndonjë aksident me pesë persona të vdekur. Aksidenti për të cilin është raportuar ka ndodhur në Britaninë e Madhe dhe aty kanë vdekur gjashtë persona.
Artikulli
Më 23.07.2024 faqja në Facebook ‘Çudira dhe Hajgare’ (arkiva) ka publikuar një fotografi të një aksidenti me përshkrimin “TRONDITËSE/ Aksident me 5 VIKTIMA! Shuhet një familje, vajza 11-vjeçare mbetet jetime pasi… … 𝗟𝗲𝘅𝗼 𝗟𝗮𝗷𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗽𝗹𝗼𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗲𝗻𝘁”.
E njëjta përmbajtje është publikuar edhe nga disa faqe tjera si; 3 Sekonda (arkiva), Lajme Shqip (arkiva), Onpress (arkiva), Lajmin Press (arkiva), Lajm Al (arkiva), Lajmin Express (arkiva), Revista Shqiptare (arkiva), Kuriozitete dhe Çudira (arkiva), Gazeta Lexo (arkiva), O Daj O Daj (arkiva), 7 Sekonda (arkiva) dhe 5 sekonda (arkiva).
Në titull nuk tregohet vendi i aksidentit, ndërsa postimi është ilustruar me një fotografi që tregojnë dy vetura të aksidentuara.
Krypometër ka kërkuar këtë fotografi në “Google Lens” dhe rezulton se aksidenti që shihet ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Mediat kishin raportuar aksidenti kishte ndodhur në rrugën Shkup-Bllacë, më 14.06.2019 (shih këtu dhe këtu).
Mediat në Maqedoninë e Veriut dhe ato në Kosovë nuk kanë raportuar për ndonjë aksident me pesë apo gjashtë persona të vdekur.
Krypometër ka analizuar edhe raportet 24-orëshe të Policisë së Kosovës të datës 22.07.2024 dhe 23.07.2024. Në asnjërin prej raporteve nuk figuron ndonjë aksident me pesë apo gjashtë të vdekur.
Krypometër ka kontrolluar faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, mirëpo aty nuk është raportuar për ndonjë aksident me gjashtë persona të vdekur.
Për dallim nga fotografia dhe titulli që nuk e tregojnë vendin e aksidentit, në artikull thuhet se aksidenti ka ndodhur mes Wakefield dhe Barnsley në Britani të Madhe.
Duke kërkuar emrat e personave të vdekur në Google, Krypometër ka gjetur se aksidenti ka ndodhur në Britani të Madhe dhe për pasojë kishin vdekur gjashtë persona, e jo pesë si raportohet në këtë artikull.
Krypometër ka kërkuar në media britanike dhe ka gjetur se Mirror kishte raportuar se gjashtë persona kanë vdekur si pasojë e këtij aksidenti.
|