schema:text
| - Titulli i pasaktë për arrestimin e të kërkuarit nga Interpoli
DeklarataFaqet në Facebook
Vlerësimi
Me kos
Postimi “Arrestohet pjesëtari i ISIS-it” është i rremë. Visar Avdyli nuk është arrestuar si pjesëtar i organizatës Terroriste ISIS. Avdyli, bazuar në përgjigjet e Policisë së Kosovës dhe të ministrisë së Drejtësisë, është arrestuar pasi i njëjti dyshohet për një rast të vrasjes që ka ndodhur në Norvegji. Për të kishte një urdhërarrest ndërkombëtar për këtë vrasje. Krypometër ka gjetur se Avdyli në të kaluarën ishte dënuar me 7 muaj burg për dhënien e ndihmës për vëllaun e tij, Egzon Avdylit, për të cilin media norvegjese VG ka raportuar se është vrarë në vitin 2014 në luftën në Siri.
Artikulli
Më 21.02.2024 faqja në Facebook “Foltash” ka publikuar një fotografi të Visar Avdylit, me mbishkrimin “Arrestohet pjesëtari i ISIS-it (arkiva).
Tutje në këtë postim është thënë “Policia e Kosovës ka arrestuar atë sot, i njëjti mbanë shtetësi të Kosovës dhe Norvegjisë. Visar Avdyli ishte edhe pjesë e luftës në Siri dhe i akuzuar për terrorizëm.”
Postimi me përmbajtje të ngjashme është shpërndarë edhe nga faqja “Falja Namazi”.
Krypometër ka kontrolluar për vërtetësinë e pretendimeve të bëra nga faqja “Foltash” duke kontaktuar me institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë në Kosovë.
Krypometër ka gjetur se Visar Avdyli në Kosovë ka pasur një urdhër arrest ndërkombëtar për vrasje e cila ka ndodhur më 7 tetor të vitit 2021.
“Personi i arrestuar, me inicialet V.A., i lindur në vitin 1989, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “vrasje” të kryer në Oslo më 07.10.2021”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës të datës 21 shkurt 2024.
Pra, në njoftimin e Policisë së Kosovës nuk thuhet se Visar Avdyli është arrestuar sepse ishte pjesëtar i ISIS-it. ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë) është shpallur Organizatë e huaj terroriste më 17 dhjetor 2004 nga Departamenti i Shtetit Amerikan.
Krypometër ka shkuar edhe më tej për të parë nëse në ndonjë dokument përmendet fakti apo ka ndonjë ndërlidhje me terrorizëm ashtu si i është referuar faqja “Foltash”.
Është kontaktuar edhe Ministria e Drejtësisë, institucion që i pranon kërkesat e shteteve të tjera për raste të tilla.
“Rasti ka të bëjë me vrasje dhe s’ka lidhje me terrorizëm dhe ISIS. Në kërkesën që kemi pranuar nuk përmendet asgjë që ndërlidhet me terrorizëm. Ka qenë ndër rastet më komplekse, për ne ka qenë ndër raste me top prioritet dhe është punuar me intesitet dhe kemi qenë në vazhdimësi në kontakt me autoritetet norvegjeze për trajtim, lokalizim dhe arrestim”- thuhet në përgjigjen e ministrisë së Drejtësisë dhënë për Krypometër, më datë 22.02.2024.
Tutje Krypometer përmes kërkimeve në mediat ka gjetur se Visar Avdyli ka qenë i dënuar për tentim-ofrimi të materialeve mbështetëse vëllait të tij Egzon Avdylit, për të cilin media norvegjese VG ka raportuar se është vrarë në vitin 2014 në Siri.
Në vitin 2015, Reuters kishte raportuar për dënimin për Visar Avdylin, vëllain e tij Valonin dhe një person tjetër Djibril Bashir.
Reuters kishte raportuar se Bashir dhe Valon Avdyli ishin dënuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS nga Gjykata e Qarkut në Oslo. Bashir ishte dënuar me 4 vjet e 3 muaj burg ndërsa Valon Avdyli me 4 vjet e 9 muaj burg.
Ndërsa Visar Avdyli ishte dënuar me shtatë muaj burg për dhënie të ndihmës për grupin.
Krypometri ka shkuar edhe më tutje duke kërkuar dokumente që verifikojnë të kaluarën e Visar Avdylit nga Gjykata në Oslo.
Në një përgjigje të dhënë nga Markus Lestra nga Gjykata në Oslo thuhet se Avdyli ka qenë i dënuar më 7 muaj burg bazuar Kodin Penal dhe Ligjin për armët.
Në dokumentet e Gjykatës së distriktit të Oslos, të dërguara nga Lestra, thuhet Visar Avdyli akuzohej se në prill të vitit 2014 në një zonë të Oslos, u përpoq që të siguronte mbështetje materiale për një organizatë terroriste duke marrë veshje dhe pajisje të ndryshme luftarake duke përfshirë edhe dy jelekë taktikë. Ai ishte përpjekur që këto t’ia dërgonte në një kuti një nga vëllezërve të tij.
Dosja tutje tregon edhe se më 26 maj 2024 në Baerum, ai kishte poseduar një armë gjahu me municion shoqërues të cilën e kishte sjellë me vete me një makinë në vende të ndryshme publike dhe private.
“Armët paraprakisht ishin dorëzuar nga një person i panjohur për policinë dhe nuk kishte leje për bartje nga policia”- thuhet në dokumentin e Gjykatës së Oslos.
|