schema:text
| - Pretendimi i rremë për shërim të dhimbje së kyçeve
Deklarata
Falë këtij ilaçi të përballueshëm dhe të certifikuar, në 2 ditë mund të shpëtoni përgjithmonë nga dhimbja e kyçeve
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Falë këtij ilaçi të përballueshëm dhe të certifikuar, në 2 ditë mund të shpëtoni përgjithmonë nga dhimbja e kyçeve” është i rremë. Në këtë artikull është cituar një mjek që ka folur për Kosovë dhe Shqipëri, porse i njëjti është fiktiv. Në listën e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe në regjistrin e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë nuk gjendet asnjë doktor me emrin Eduard Ndrejaj. Produkti që promovohet nuk ka Autorizim për Marketing nga AKPPM. Profesionistët shëndetësorë thonë se këto pretendime janë mashtruese dhe nuk janë të bazuara në shkencë.
Artikulli
Më 12.04.2024 faqja në Facebook ‘MED News E’ (arkiva) ka publikuar një artikull me titull: “Falë këtij ilaçi të përballueshëm dhe të certifikuar, në 2 ditë mund të shpëtoni përgjithmonë nga dhimbja e kyçeve”.
I njëjti artikull është publikuar edhe në ueb-faqen ‘caset.site’(arkiva).
Në këtë artikull është cituar “profesor Eduard Ndrejaj”, për të cilin postimi pohon se ka folur për trajtimin e sëmundjeve të kyçeve në Kosovë dhe Shqipëri.
Prandaj, Krypometër ka kontrolluar listën e mjekëve profesionistë që lejohen të punojnë në Kosovë dhe Shqipëri për të parë nëse ekziston doktori me emrin Eduard Ndrejaj.
Në listën e Odës së Mjekëve të Kosovës nuk gjendet asnjë doktor me emrin Eduard Ndrejaj, pra asnjë doktor me këtë emër nuk lejohet të ushtrojë profesionin e mjekut në Kosovë, meqë nuk është pjesë e kësaj liste.
Po ashtu, as në regjistrin e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë nuk gjendet asjë doktor me këtë emër.
Artikulli promovon produktin ‘Artroflex’ duke pohuar se “ndihmon në luftimin e sëmundjeve si artriti, artroza dhe sëmundjet degjenerative të diskut gjithashtu zvogëlon në mënyrë efikase inflamacionin dhe dhimbjen në gjendjet akute të sëmundjeve të artkolacioneve, kerceve dhe ligamenteve”.
Krypometri ka kërkuar në listën e produkteve që kanë autorizim marketingu dhe që është e publikuar në ueb-faqen e Agjencisë kosovare për produkte dhe pajisje medicinale, nuk figuron një ilaç i tillë.
Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale është institucion i cili rregullon shitjen dhe importin e ilaçeve në Kosovë.
Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Për këtë produkt, Krypometri ka kontaktuar edhe doktorin Fahri Beqa i cili është mjek që punon në Spitalin e Berlinit në Gjermani.
Ai në një prononcim për Krypometrin ka thënë se ky produkt që promovohet në artikull nuk është i bazuar në shkencë.
“Kjo është reklamë mashtruese, nuk është e bazuar në shkencë dhe nuk ka të bëjë me mjekësi të bazuar në dëshmi”- ka thënë Dr. Beqa.
Sipas tij, ka plot produkte të tilla medicinale që propagandohen në vendet në të cilat përdorimi dhe reklamimi i produkteve të tilla nuk është mirë i rregulluar me ligj.
“Kompanitë e shfrytëzojnë mungesën e ligjit. Zakonisht produktet e tilla kanë bazë bimore por nuk kanë bazë në studime shkencore si kërkohet për barnat tjera të licencuara dhe kombinime të vitaminave e mineraleve”- ka shtuar ai.
|