schema:text
| - Konstatimi i rremë rreth fotografisë së vjetër të Haradinajt me Rakiqin
Deklarata
“1999: Me shqiptaret kundër çetnikeve// 2020: Me çetniket kunder shumices shqiptare”.
Vlerësimi
Me kos
Fotografia e Ramush Haradinajt dhe Goran Rakiqit është publikuar me mbishkrimin e rremë që thot “1999: Me shqiptaret kundër çetnikeve// 2020: Me çetniket kunder shumices shqiptare”. Haradinaj nuk ka bërë ndonjë pakt me çetnikët kundër shqiptarëve në vitin 2020. Haradinaj ishte Kryeministër nga viti 2017 e deri në vitin 2019, e gjatë asaj kohe pjesë e Qeverisë ishte edhe Lista Serbe e udhëhequr nga Goran Rakiq. Kjo parti ka qenë pjesë e secilës Qeveri që nga viti 2014. Rakiq ishte dorëhequr nga Qeveria Kurti së bashku me serbët e tjerë nga institucionet tjera më 05.11.2022.
Artikulli
Më 25.01.2025, një profil në Facebook (arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kandidati për Kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Fotografia mban përshkrimin “1999: Me shqiptaret kundër çetnikeve// 2020: Me çetniket kunder shumices shqiptare”.
Krypometër ka kërkuar fotografinë e dytë përmes maqinës së kërkimit të imazheve në internet Google Lens dhe ka gjetur se e njëjta nuk është bërë në vitin 2020, por në vitin 2018.
AAK e drejtuar nga Haradinaj, që në atë kohë ishte Kryeministër i Kosovës, kishte organizuar një ceremoni për të shënuar përvjetorin e 18 të kësaj partie.
Në këtë përvjetor ishin ftuar edhe anëtarët e partisë Lista Serbe, që në atë kohë ishin pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Kjo Qeveri ishte themeluar pas Zgjedhjeve të vitit 2017 kur AAK ishte në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismën për Kosovën, Partinë e Drejtësisë, Lëvizjen për Bashkim, Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, Partinë Konservatore të Kosovës, Alternativën Demokratike të Kosovës, Republikanët e Kosovës, Partinë e Ballit, Partinë Socialdemokrate dhe Ballin Kombëtar të Kosovës.
Goran Rakiq ka qenë Ministër edhe në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti (shih këtu dhe këtu), ndërsa Slavko Simiq ka qenë Deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ish-nënkryetari i Listës Sebe, Millan Radoiçiq akuzohet nga Prokuroria Speciale për “terrorizëm”, pasi i njëjti dyshohet se më 24.09.2024 e kishte udhëhequr grupin terrorist që kishte hyrë në Banjskë dhe kishte vrarë togerin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Operacioni i sulmit terrorist u udhëhoq nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Ai vetëm pak ditë pas sulmit terrorist me anë të një letre të cilën e lexoi avokati i tij kishte marrë përgjegjësinë për sulmin, organizimin dhe logjistikën e sulmit, duke thënë tutje se edhe pas këtij rasti jep dorëheqje nga pozicioni i tij brenda partisë serbe që funksionon në Kosovë, Lista Serbe. Radoiçiq po kërkohet gjithashtu nga INTERPOL për rastin e Banjskës.
Përveç Radoiçiqit Prokuroria Speciale e Kosovës i ka akuzuar edhe 44 persona të tjerë për veprat penale: “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpërlarje të parasë”. Në këtë Aktakuzë nuk janë të përfshirë Rakiq dhe Simiq.
Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk ka qenë kundër shumicës së popullit të Kosovës. Gjatë kohës së udhëheqjes së tij, më 14.12.2018, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar tri Ligje (Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës), të cilat ia kanë mundësuar Forcës së Sigurisë së Kosovës të bëhet Ushtri. FSK do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në një Ushtri me kapacitete të plota.
Kurse tani Ramush Haradinaj është udhëheqës i koalicionit AAK, NISMA, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30 në Zgjedhjet që pritet të mbahen më 09.02.2025. Haradinaj po synon që për herë të tretë të udhëheqë në Qeverinë e Kosovës, pasi paraprakisht ishte Kryeministër në vitet 2004 dhe 2017.
Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, është larguar nga institucionet e Kosovës më 05.11.2022, duke përfshirë institucionet qendrore, Qeverinë dhe Kuvendin, pas një mbledhjeje që u mbajt nga kjo parti në Mitrovicën e Veriut. Para se të largohej nga institucionet shtetërore, Lista Serbe ishte pjesë e Qeverisë së Kosovës, por pa ndonjë marrëveshje politike. Lista Serbe tash është në garë për Zgjedhjet që pritet të mbahen më 09.02.2024.
|