schema:text
| - Video e vjetër dhe me mbishkrim të rremë e presidentes Vjosa Osmani
Deklarata
Videoja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani duke bërë thirrje për të votuar me mbishkimin “500K (mijë) zemra” dhe numrin 118 që aktualisht e mbanë Lëvizja Vetëvendosje
Vlerësimi
Rrenë
Është e vjetër videoja në të cilën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bënë thirrje për të votuar, pasi e njëjta është publikuar për herë të parë në muajin shkurt të vitit 2021. E mbishkrimi në këtë video “500K (mijë) zemra” dhe numrin 118 që aktualisht e mbanë Lëvizja Vetëvendosje është i rremë, pasi presidentja Osmani nuk ka bërë thirrje që të votohet Lëvizja Vetëvendosje, në Zgjedhjet të cilat pritet të mbahen më 09.02.2025. Këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia ka thënë se mbishkimi është i rremë, pasi videoja është e vjetër dhe nuk ka të bëjë asgjë me Zgjedhjet aktuale. Neni 88 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës ia ndalon Presidentes së Kosovës që të jetë pjesë e partive politike.
Artikulli
Më 02.02.2025, faqja në Facebook albin_baba_65 (arkiva dhe arkiva) ka shpërndarë një video në të cilën shihet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Materiali i njëjtë është publikuar edhe në Tiktok.
Në video janë vendosur mbishkrimet “500K © dhe 118 ✔️”. Të dyja këto nënkuptojnë sloganin dhe numrin në fletëvotim të Lëvizjes Vetëvendosje, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Në material lë të nënkuptohet se presidentja Osmani po bën thirrje që të votohet LVV.
E njëjta video është publikuar edhe nga faqja 75% për Albinin (arkiva) me mbishkrimin 500K (mijë) zemra dhe numrin 118 që aktualisht e mbanë Lëvizja Vetëvendosje.
Krypometër përmes kërkimit të fotografisë në Google Lens ka gjetur se videoja e Osmanit është realizuar në shkurt të vitit 2021, në prag të Zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur ajo kishte qenë kandidate për Deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë video, në cilësi të kryesueses së “Listës Guxo” që garoi së bashku me LVV në ato Zgjedhje, Osmani u kishte bërë thirrje të rinjve të Kosovës që të dalin të ushtrojnë të drejtën e votës.
Gjithashtu, Krypometër ka kontaktuar edhe me Kabinetin e Presidencës për të sqaurar përmbajtjen që është shpërndarë në Tiktok. Këshilltarja e presidentes, Egnesa Vitia ka sqaruar se videoja është realizuar në shkurtin e vitit 2021 dhe nuk ndërlidhet me Zgjedhjet aktuale.
“Video është e vitit 2021 dhe nuk i takon kësaj periudhe. Video që po qarkullon në rrjetet sociale nuk lidhet asgjë me Zgjedhjet aktuale, prandaj janë të pasaktë.”- ka thënë Vitia për Krypometër.
Bazuar në Nenin 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.
Kushtetuta ia ndalon po ashtu Presidentes së Kosovës që të jetë pjesë e partive politike.
“Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik. Pas Zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.”- thuhet në Nenin 88 të Kushtetutës.
Edhe këshilltarja e presidentes, Egnesa Vitia ka thënë se “Presidentja si e dimë nuk është pjesë e procesit zgjedhor”.
Më 16.08.2024, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka vendosur që Zgjedhjet parlamentare të mbahen më 09.02.2025, procesi i parë ky i rregullt zgjedhor në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë më 2008.
Osmani u zgjodh Presidente më 04.04.2021 në raundin e tretë kur mori 71 vota, nga 82 deputetë sa morën pjesë në votim, kurse kundërkandidati i saj Nasuf Bejta nuk mori asnjë votë.
Në Zgjedhjet e shkurtit 2021, ajo arriti një nivel historik të mbështetjes popullore, duke u bërë politikania më e votuar në historinë e Zgjedhjeve në Kosovë. Osmani në Zgjedhjet e mbajtura më 14.02.2024 kishte marrë 300 mijë e 788 vota. Ajo kishte hyrë në këtë garë bashkë me “Listën Guxo”, nismë kjo e formuar nga vetë Osmani. Pas zgjedhjes së saj si Presidente, ajo ishte dorëhequr nga gjitha funksionet partiake.
Osmani në javën e fundit të fushatës elektorale ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në postimet e saj në Facebook apo në faqen e Presidencës së Kosovës nuk është hasur ndonjë postim përmes të cilit ajo bënë thirrje për përkrahjen e ndonjë subjekti specifik.
|