schema:text
| - Postimet e rreme për kredi në emër të “FED Invest”
Deklarata
Zgjedhni kredi të shpejta, të thjeshta dhe efikase me KREDI E SIGURT; Për më shumë informacion https://m.me/kredisigurt
Vlerësimi
Rrenë
Janë të rreme postimet e bëra në Instagram me mbishkrimin “Kredi për 24 orë!” dhe “FINANCIME deri në 10.000.000 – BIZNES APO INDIVID, FINANCOJMË SHPEJT SIPAS NEVOJAVE TUAJA!”. Faqja “kredi_esigurt” (arkiva) është e licensuar nga Banka Qendrore e Kosovës dhe si rrjedhojë nuk ka të drejtë lëshimin e kredive. Kjo faqe i ka përdorur kampanjat e “FED Invest”, institucionit financiar që operon në Shqipëri.. ‘FED Invest’, në një përgjigje për Krypometër, ka thënë se ata operojnë vetëm në Shqipëri dhe nuk ofrojnë shërbime në Kosovë si dhe që nuk kanë të bëjnë asgjë me postimet e bëra nga faqja “kredi_esigurt” (arkiva).
Artikulli
Më 03.11.2024, faqja në rrjetin social Instagram “kredi_esigurt” (arkiva) ka publikuar një ofertë për kredi.
“Kredi për 24 orë!”- shkruan në infografikën e publikuar me mbishkrimin “Zgjedhni kredi të shpejta, të thjeshta dhe efikase me KREDI E SIGURT; Për më shumë informacion https://m.me/kredisigurt”.
Përmes kërkimit në ‘Google Images’ Krypometri ka verifikuar infografikën e publikuar në kredi_esigurt (arkiva), e cila rezulton se për herë të parë është publikuar nga “FED Invest”, një institucion financiar që vepron në Shqipëri.
Kjo kampanjë është publikuar nga ‘FED Invest’ më 12.06.2024 me përshkrimin “FED Invest – Aplikim online për kredi. Specialistët tanë zhvillojnë formulën më të përshtatshme për realizimin e projektit tuaj”.
Krypometër ka gjetur se faqja në Instagram ‘kredi_esigurt’ ka përdorur edhe infografika të tjera nga kampanjat (arkiva) e ‘FED Invest’.
“FINANCIME deri në 10.000.000 – BIZNES APO INDIVID, FINANCOJMË SHPEJT SIPAS NEVOJAVE TUAJA!”- shkruan në infografikën tjetër të publikuar nga faqja “kredi_esigurt”.
“Merrni kredi të të gjitha llojeve deri në 100,000 € pa telashe”- shkruan në përshkrimin e infografikës.
Krypometër ka gjetur se edhe kjo infografikë është publikuar fillimisht në faqen zyrtare të ‘FED Invest’ te ‘produktet’. Në infografikën e publikuar në faqen zyrtare, thuhet “Kredi deri ne 10 000 000 LEKE Biznes”. Ndërkohë, faqja ‘kredi_esigurt’ e ka larguar fjalën LEK dhe të njëjtën e ka shpërndarë në Kosovë, ku kreditë lëshohen në valutën Euro.
Krypometri ka kontaktuar me zyrtarë të ‘FED Invest’ për të verifikuar nëse të njëjtit kanë të bëjnë me postimet në rrjetin social Instagram, ‘kredi_esigurt’ (arkiva dhe arkiva).
FED Invest në një përgjigje për Krypometër ka thënë se si institucion financiar operon vetëm në Shqipëri. Rrjedhimisht, nuk ofron shërbime në Kosovë.
“Ne si institucion operojmë vetëm në Shqipëri dhe nuk kemi shërbim në Kosovë. Ju shkruajmë për t’ju sqaruar se, ‘SHKK FED invest’ nuk ka asnjë lidhje me këtë faqe dhe logoja jonë nuk figuron në këtë reklamë. Faqja jonë zyrtare është fedinvest.al dhe ne operojmë vetëm me këtë emër”- thuhet në përgjigjen e këtij institucioni financiar.
Bazuar në Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jo-bankare, të gjitha institucionet që kanë të drejtë dhënien e kredive duhet të licensohen, paraprakisht nga Banka Qendrore e Kosovës. Për licensim nga BQK-ja, institucioneve i kërkohet të plotësojnë një varg obligimesh që i kërkon Ligji.
Për të verifikuar nëse kredi_esigurt (arkiva) është i licensuar nga Banka Qendrore e Kosovës, Krypometri ka shikuar listën e institucioneve financiare të regjistruara. Aty nuk figuron ndonjë institucion financiar me emrin ‘kredi esigurt’.
Në një përgjigje me shkrim, BQK ka lutur qytetarët që të mos bien pre e këtyre postimeve që mund të jenë të rrezikshme.
“Postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët, ku me këtë ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion për t’i larguar këto njoftime”- thuhet në përgjigjen e BQK-së.
|