schema:text
| - Rrena se pensionet do të rriten në pjesën e dytë të vitit 2024
Deklarata
Пензије ће значајно порасти у другој половини 2024
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Пензије ће значајно порасти у другој половини 2024” (shqip: Pensionet do të rriten ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit 2024) është i rremë. Qeveria e Kosovës që nga data 01.06.2024 nuk ka marrë asnjë vendim për rritje të pensioneve duke filluar nga data 01.07.2024. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini ka thënë se postimi është i rremë, pasi nuk ka ndryshim të pensioneve sic pretendohet në postim.
Artikulli
Më 11.07.2024 faqja në Facebook ‘Job-good’(arkiva), ka publikuar një infografikë me dy stema të Institucioneve të Republikës së Kosovës për pensionistët dhe me mbishkrimin në gjuhën serbe “Пензије ће значајно порасти у другој половини 2024” (shqip: Pensionet do të rriten ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit 2024).
Në këtë infografikë thuhet se nga 01.07.2024 do të rriten pensionet për personat mbi 45 vjeçarë.
Kur klikon mbi këtë link të dërgon tek faqja retirementsavings24.xyz(arkiva), në të cilin nuk ka asnjë informacion shtesë. Krypometër ka kontrolluar domenin retirementsavings24.xyz në faqen “Whois.com” dhe rezulton se i njëjti është regjistruar më 01.02.2024 dhe pronari i saj është sekret.
Krypometër ka kontaktuar me zëdhënësin e ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Muharrem Shahini, i cili ka thënë se postimet për rritje të pensioneve nga faqet e dyshimta janë të rreme.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kohë më parë ka lëshuar një njoftim për qytetaret dhe ka kërkuar nga përfituesit e skemave pensionale në Republikën e Kosovës që të jenë të kujdesshëm ndaj informatave të rreme të cilat po qarkullojnë dhe që kanë për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jo zyrtare”– tha Shahini për Krypometër.
Në ueb-faqen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës publikohen vendimet që merren në mbledhjet e qeverisë. Krypometër ka shfletuar vendimet që janë marrë që nga data 01.06.2024, por asnjë prej vendimeve të Qeverisë së Kosovës nuk ka të bëjë me rritjen e pensioneve nga data 01.07.2024.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se nuk ka vendim për rritje të pensioneve dhe se njoftimi nuk është bërë nga Qeveria e Kosovës.
“Kjo është një fushatë dezinformuese. I ftojmë qytetarët që të kenë kujdes dhe mos të bien pre e dezinformatave dhe mashtrimeve të tilla”- ka thënë Kryeziu për Krypometër.
Policia e Kosovës kishte nisur hetime pas hulumtimit të publikuar në emisionin Kallxo Përnime, në të cilin ishin transmetuar disa dëshmi se si pensionistëve u janë marrë nga 3 euro duke iu premtuar rritje të pensioneve.
|