schema:text
| - Përdorimi i mjekëve fiktivë dhe faqeve të dyshimta për shitje të ilaçeve për shërim të papillomave
Deklarata
Për shumë njerëz, kjo pranverë do të jetë e fundit në jetën e tyre… Ardian Dervishi ka paralajmëruar njerëzit me papiloma rreth rrezikut vdekjeprurës
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Për shumë njerëz, kjo pranverë do të jetë e fundit në jetën e tyre… Ardian Dervishi ka paralajmëruar njerëzit me papiloma rreth rrezikut vdekjeprurës” është i rremë. Nuk është asnjë mjek i licencuar me emrin Ardian Dervishi. Postimi është ilustruar me një fotografi që përdoret për ilustrim të puntorëve seniorë. Rexhep Morina, specialist i dermatologjisë, ka thënë se përshkrimi i barnave për trajtim të papillomave bëhet në vartësi të 70 nëntipeve të këtij virusi.
Artikulli
Më 03.07.2024 faqja në ‘Facebook Julia Short’ (arkiva) ka publikuar një artikull në të cilin pretendohet se është gjetur ilaçi kundër papillomave apo lythave.
Në artikull pretendohet se “Shenjat e para që mund të tregojnë se parazitët jetojnë në trupin tuaj janë këto: – Fryma e keqe, lodhje kronike (lodheni shpejt, pavarësisht se çfarë bëni), mund të përjetoni dhimbje koke të shpeshta, dhimbje në kyçe dhe muskuj. Nëse kjo ndodh gjithashtu, statusi juaj është tashmë kritik”.
I njëjti është publikuar edhe në ueb-faqen ‘bubacasshh.com’ (arkiva) me titull “Për shumë njerëz, kjo pranverë do të jetë e fundit në jetën e tyre… Ardian Dervishi ka paralajmëruar njerëzit me papiloma rreth rrezikut vdekjeprurës”.
Krypometër e ka kontrolluar domenin e bubacasshh.com në faqen whois.com (arkiva) dhe rezulton se i njëjti ishte regjistruar më 22.04.2024. Bazuar në të dhënat e publikuar në faqen whois.com, pronari final i faqes ‘bubacasshh.com është sekret.
Në këtë artikull citohet Ardian Shefkiu si “specialisti më i mirë në fushën e sëmundjeve infektive në vend, autor i metodave unike të pastrimit të trupit, të cilat përdoren në të gjithë botën”.
Krypometër, ka kontrolluar listën e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe aty nuk është asnjë mjek me emrin Ardian Shefkiu.
Neni 8 i ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësor thotë se mjekët duhet të anëtarësohen në këtë Odë për të ushtruar veprimtarinë e tyre shëndetësore në Republikën e Kosovës.
Lista e të gjithë mjekëve të licencuar dhe që mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë është e publikuar në ueb-faqen e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Krypometri ka kontrolluar edhe listën e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, mirëpo as aty nuk figuron asnjë doktor me emer Ardian Shefkiu që është i licencuar për ta ushtruar profesionin e mjekut në këtë shtet.
Shefkiu është i ilustruar edhe me një fotografi të cilën Krypometri e ka verifikuar përmes ‘TinEye’ dhe pas analizës rezulton se fotografia e përdorur për të prezantuar Shefkiun, realisht është fotografi që pëdoret për ilustrimin e personave me përvojë pune.
“Germostop” është produkti që pretendohet se shëron papillomat dhe që promovohet në këtë shkrim. Krypometër ka kërkuar edhe tek lista e barnave që kanë autorizim marketingu në Kosovë, pasi Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për produkte dhe pajisje medicinale në Kosovë rezulton se produkti Germostop nuk është në listën e barërave me autorizim marketingu.
Krypometër ka kontaktuar me Rexhep Morinën, specialist i Dermatologjisë, i cili ka thënë se shkaktari i papillomave ështe HPV (human papilloma virus) dhe njihen më shumë se 70 nëntipe të këtij virusi.
Përshkrimi i barnave për trajtim të papillomave bëhet në vartësi të nëntipit të këtij virusi.
“Varësisht prej nëntipit kemi edhe prezencë të lythave të njohur si verrucae vulgaris, genitalis (condylloma) si dhe fibromave nëpër regjione të ndryshme. Trajtohen me metoda dhe preparate të ndryshme si: Kryotherapi (azot i lëngët), termokater, laser dhe preparate si: TCA, podophilotoxin, imiquimod, etj..”- ka thënë Morina për Krypometër.
|