schema:text
| - Tentimi për të shitur kremë duke pretenduar rrejshëm që heq lipomat
Deklarata
Krem për heqjen e lipomë’s për qetësimin e dhimbjeve
Vlerësimi
Me kos
Në videon me përshkrimin “Krem për heqjen e lipomë’s për qetësimin e dhimbjeve”- janë dhënë konstatime të rreme. Drejtorin e Klinikës së Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), Nazmi Kolgeci, thot se lipomat nuk mund të hiqen me kremë. Kirurgu torakal Frederik Çuperjani ka thënë se kjo kremë në Facebook nuk e zgjidh problemin me lipomat, pasi ato zakonisht trajtohen në mënyrë kirugjike. Ndërkaq, kirurgu tjetër i torakales, Fitim Selimi, thot se për lipomat, nuk ka metodë tjetër për heqjen e lipomave të tilla çfarë shihen në video përveç metodës kirurgjike.
Artikulli
Më 19.10.2024, faqja në Facebook Online Store (arkiva), ka publikuar një video përmes të cilës tregon se një kremë që mund të blihet për vetëm 14.99 euro mund t’i heqë lipomat.
“Krem për heqjen e lipomë’s për qetësimin e dhimbjeve. Trajtoni ënjtjen e lëkurës Lipoliza e celulitit për heqjen e nyjeve për heqjen e gungave të yndyrës së dhjamit Pomadë kundër suvasë pa suva. Specifikimet: •Gjendja: 100% krejt e re dhe me cilësi të lartë. • Lloji i artikullit: Krem për heqjen e lipomës. •Funksioni: Heqja e lipomave, gungave nënlëkurore”- shkruan në përshkrimin e kësaj video.
‘Lipoma Kream’ është produkti që reklamohet nga kjo faqe, të cilës i ka shkruar Krypometri për të kuptuar më shumë rreth “shërimit të lipomave”.
“Me thënë të drejtën, blerësit që e kanë marr kanë qenë shumë të kënaqur, na kanë shkruar se ka efekt shumë dhe e ka eliminuar problemin në pak ditë, ka pasur nga ata që e kanë riporositur roduktin me padurim, 100% efektiv.”- kanë thënë nga kjo faqe.
Po ashtu, nga kjo faqe kanë shtuar se produkti është i licensuar.
“Është i testuar dermatologjikisht, i testuar dhe është i licencuar.”- kanë thënë tutje ata duke mos treguar nga kush janë licensuar.
Krypometër ka kërkuar në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) dhe rezulton se produkti ‘Lipoma Kream’ nuk është në Listën e produkteve me autorizim marketingu, pra që lejohet të shitet në Kosovë.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “Produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”. Faqja Online Store është krijuar më 30.06.2024 në Kosovë.
Si trajtohen Lipomat?
Tutje, Krypometër ka biseduar me drejtorin e Klinikës së Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), Nazmi Kolgeci.
Ai thot se lipomat nuk mund të hiqen me kremë.
“Nuk kam ndonjë informacion që ekziston ndonjë kremë për zhdukjen e lipomave apo ndryshimeve të saj. Ato s’mund të hiqen me kremë. S’ka shanca, sepse janë të forta. Asnjëherë nuk e dimë se si bëhen apo si formësohen. Zakonisht, janë të trashëguara nga nëna, gjyshja, stërgjyshja. Pra, shumica e njerëzve që kanë lipoma, e kanë trashëgimi. Rruga e vetme deri më sot është ndërhyrja kirurgjikale.”- ka thënë Kolgeci.
Ndërsa, kirurgu torakal Frederik Çuperjani ka thënë se kjo kremë në Facebook nuk e zgjidh problemin me lipomat.
“Lipomat janë tumore beninje, apo si i themi ne ‘tumore të mira’. Kryesisht, janë me tendenca gjenetike të shfaqjes. Unë i trajtoj zakonisht në mënyrë kirurgjike. Përmbajtja e tyre është yndyrore. Kjo krema në FB, nuk besoj që e zgjidh problemin. Nuk ka trajtime pa kontrollime mjekësore. Është një rrugë e shkurtër, që i mashtron njerëzit. Duhet të deklarohet publikisht përmbajtja e kremës dhe shumë e shumë procedura tjera.”- ka thënë Çuperjani për Krypometër.
Ndërkaq, kirurgu tjetër i torakales, Fitim Selimi, ka shpjeguar për Krypometër se si krijohen lipomat, duke shtuar se nuk është në dijeni të ndonjë metode tjetër për heqjen e tyre, nga organizmi- përveç asaj kirurgjikale.
“Deri tani nuk dimë teknikë apo procedurë tjetër për heqjen e lipomave përveç procedurës kirurgjikale. Nuk kam njohuri që ndonjë kremë të ketë efektet e nevojshme për ta eliminuar prezencën e lipomave nga organizmi. Lipomat janë tumore të indit yndyror, sikur çdo ind tjetër në organizëm, që mund të shfaqë devijime në kuptimin e rritjes së pakontrolluar. Po ashtu, edhe indi yndyror mund të rritet në mënyrë të pakontrolluar, në lokacione të ndryshme nëpër organizëm.”- ka thënë Selimi.
|