schema:text
| - Banka Qendrore nuk e ka paditur Vehbi Kajtazin
Deklarata
Banka Qendrore e Kosovës po padit Vehbi Kajtazi për ato që tha në televizionin live
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Artikulli me titull “Banka Qendrore e Kosovës po padit Vehbi Kajtazi për ato që tha në televizionin live”- është i rremë. Faqja e internetit që e ka publikuar këtë artikull ka përdorë imazhin e portalit Telegrafi.com, por në Telegrafi.com nuk është publikuar një artikull i tillë. Banka Qendrore e Kosovës thotë se nuk kanë ushtruar padi kundër gazetarit Vehbi Kajtazi. Gazetarët e cituar në këtë artikull: Vehbi Kajtazi, Berat Buzhala e Adriatik Kelmendi thonë se postimet dhe përmbajtja e artikullit janë të rreme. Intervista e Kajtazi dhënë në emisionin Ditari i Buzhalës nuk është fshirë, ajo vazhdon të jetë e qasshme.
Artikulli
Më 07.08.2024 faqja në Facebook ‘wemailan’ (arkiva) ka publikuar një fotografi të gazetarit dhe drejtuesit të emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi.
Në këtë postim thuhet se “Ne i themi lamtumirë Vehbi Kajtazi. E gjithë Kosova është në zi…”
Ndërsa është e publikuar edhe një bisedë që pretendohet se Kelmendi e ka bërë me Berat Buzhalën, gazetarit dhe pronarit të ‘Nacionale.com”.
“Nuk mund ta dëgjoj më këtë! Nuk ka dyshim se dikush është përgjegjës. Nuk ka arsye për heshtje dhe më duhet të përballem ballë për ballë me të vërteten”- shkruan në këtë postim duke iu referuar si status i Kelmendit.
Krypometër ka biseduar me Adriatik Kelmendin, i cili e ka mohuar të ketë bieduar diqka të tillë me gazetarin Berat Buzhala.
“Humor pa shije i dikujt. Natyrisht që e rreme. As nuk kam folë, as nuk ekziston diku në rrjetet e mija sociale kjo”- ka thënë Kelmendi.
Kur klikohet postimi në Facebook i publikuar në faqen ‘wemailan’ (arkiva) të dërgon tek një artikull (arkiva) me titull “Banka e Kosovës po padit Vehbi Kajtazi për ato që tha në televizionin live”.
Artikulli është publikuar në domemin ‘weedenhost.com’, por e cila është imitim i portalit Telegrafi.com.
Ndërsa, në artikull thuhet se gjoja është fshirë një intervistë që pronari i portalit Paparaci.com, Vehbi Kajtazi kishte dhënë në emisionin “Intervista e Buzhalës”, që publikohet në portalin Nacionale.com.
Krypometër, përmes kërkimeve në “Google” ka gjetur se intervistën që e kishte dhënë Vehbi Kajtazi në emisionin e moderuar nga Berat Buzhala dhe e njëjta vazhdon të jetë e publikuar. Në këtë intervistë 30 minutëshe, Kajtazi nuk flet për investime e as nuk jep këshilla se si dikush të bëhet i pasur.
Krypometri gjithashtu ka biseduar edhe me Berat Buzhalën, i cili për Krypometër ka thënë se kjo është dezinformatë.
“Ky është fake news”- ka thënë Buzhala.
Krypometër ka kontrolluar lajmet e publikuara në portalin Telegrafi.com, mirëpo aty nuk është publiku asnjë lajm se BQK-ja e ka paditur gazetarin Vehbi Kajtazi.
Krypometër ka dërguar pyetje edhe në portalin Telegrafi.com. Në një përgjigje me shkrim nga Portali Telegrafi, e kanë mohuar të kenë publikura një shkrim të tillë në portalin e tyre.
Në përgjigje është thënë se postimi është manipulim dhe keqpërdorim i imazhit të këtij portali.
“Shkrimi fare nuk ka asgjë me Telegrafin por është manipulim. Natyrisht ne si media profesionale do të lajmërojmë rastin në organet kompetente”- thuhet në përgjigjen e Telegrafit.
Për Kajtazin janë bërë edhe dy postime të tjera. Njëri i publikuar në faqen në Facebook ‘Black sea’ (arkiva). Edhe në këtë postim thuhet se është paditur Kajtazi nga BQK-ja, mirëpo teksti është në gjuhën angleze dhe eshte publikuar me llogon e portalit Kossev.info.
Krypometër i ka kontrolluar gjitha postimet e bëra nga Kossev, mirëpo në asnjë prej lajmeve të publikuara nuk është thënë se BQK-ja e ka paditur Vehbi Kajtazin.
I kontaktuar nga Krypometër, Vehbi Kajtazi ka thënë se postimet e bëra për të janë të rreme. Ai ka thënë se intervista vazhdon të jetë e publikuar në faqet e Nacionale.com.
Meqë në këto dy lajme të publikuara thuhet se Kajtazi është paditur nga BQK-ja, Krypometër ka marrë një përgjigje nga ky institucion.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në përgjigjen për Krypometër, ka thënë se ata nuk e kanë paditur Vehbi Kajtazin, siç pretendohet në këto postime.
“Këto janë lajme të pavërteta (Fake News) të cilat janë tërësisht të pavërteta dhe s’ka të bëjnë asgjë me BQK-në. Pra, lajmet e publikuara janë të pasakta dhe në kuptim të informimit janë të dëmshëme për mbrojtjen e interesit të zyrtarëve dhe të vet qytetarëve në veçanti”- thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore të Kosovës për Krypometër.
Çka thotë artikulli?
Në artikull pretendohet se Kajtazi është paditur nga Banka Qendrore e Kosovës pasi gjoja ai ka zbuluar një formë të re të intervestimeve që ju mundëson personave që të fitojnë para në mënyrë të lehtë dhe të shpejt.
“Berat Buzhala hapi një llogari personale në platformën Nearest Edge dhe mbeti e mahnitur. Brenda 20 minutash, programi bëri 3 transaksione: njëra ishte e parëndësishme, por dy të tjerat ishin fitimprurëse. Bilanci u rrit nga 250 EUR në 276 EUR”- thuhet në këtë artikull.
Kur klikohet platforma që reklamohet në këtë postim të dërgon në një faqe që prapë domenin e ka të njëjtë ‘weedenhost.com’. Në këtë faqe kërkohën të dhënat personale të personave, ndërsa thuhet se “Duke përdorur platformën e tregtimit, mund të fitoni nga €780 deri në €1800 në ditë. Regjistrimi për Kosovën tani është i hapur”.
|