schema:text
| - Video e rreme gjoja se Kurti ka folur për kidnapimin e tre policëve
Deklarata
Si e komentoni kët deklaratë të Kurtit për policët e kidnapuar?!A eshte normal ky kryeministër
Vlerësimi
Me kos
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në videon e publikuar nga “Dr.Ibrahim Rugova – Na Mungon” nuk ka folur për rastin e kidnapimit të tre policëve nga policia e Serbisë, si pretendohet në mbishkrimin “Si e komentoni kët deklaratë të Kurtit për policët e kidnapuar?!A eshte normal ky kryeministër”. Video që është shpërndarë më 14 qershor 2023 është xhiruar në vitin 2016. Në atë intervistë, atëherë kryetari i partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti kishte folur për dënimin e policëve që kishte ndodhur në vitin 2016 si dhe për arrestimin e dy policëve që kishte ndodhur në fshatin Dumnicë të Podujevës, në vitin 2012.
Artikulli
Më 14 qershor 2023, faqja e Facebook-ut “Dr.Ibrahim Rugova – Na Mungon” ka postuar një video në të cilën shihet duke folur Albin Kurti.
Në këtë video, Kurti thotë: “Prandaj unë nuk kam shpresë në sundim të ligjit, zbatim të ligjit prej kësaj policie, të cilës nuk i ka mbetur asnjë gram patriotizmi. Ua kanë dhunuar tre policë në Dumnicë. Xhandarmëria serbe ua ka shtrirë në dushk të malit, ratë.”
Në postimin e kësaj videoje kjo faqe ka vënë edhe mbishkrimin “Si e komentoni kët deklaratë të Kurtit për policët e kidnapuar?!A eshte normal ky kryeministër”.
Kjo video me këtë përshkrim është publikuar në kohën kur tre policë të Kosovës janë duke u mbajtur në burg në Serbi, duke lënë të kuptohet se deklarimi i Kurtit është bërë për arrestimet e fundit. Por, Kurti në këtë video nuk ka folur për rastin që ka ndodhur në vitin 2023.
Çfarë ka ndodhur në qershor 2023?
Policia e Kosovës më 14 qershor 2023 kishte thënë se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë kidnapuar nga autoritetet serbe. E Serbia kishte thënë se policët janë arrestuar në territorin e Serbisë. KFOR-i përmes një njoftimi për media ka thënë se mbetet e paqartë vendnodhja se ku gjendeshin policët e Kosovës kur janë ndaluar nga policia e Serbisë.
Policia e Kosovës (PK), kanë thënë se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dyshojnë që zyrtarët e Policisë së Kosovës janë rrëmbyer si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviq – Lune.
Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën (13.06.2023) nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.
Tre policëve të Kosovës iu shqiptua masa e paraburgimit nga Gjykatën e Lartë në Kralevë pas kërkesës së prokurorit publik.
Video e vjetër
Video e publikuar më 14 qershor 2023 nga faqja “Dr.Ibrahim Rugova – Na Mungon” nuk ka asnjë ndërlidhje me ngjarjen që ka ndodhur në vitin 2023, pasi e njëjta është xhiruar në vitin 2016.
Në kohën e xhirimit të kësaj video, në vitin 2026, Albin Kurti nuk ishte kryeministër, por vetëm kryetar i partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.
Në vitin 2016, Qeveria e Kosovës është drejtuar nga Isa Mustafa, që ishte edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këtë intervistë Albin Kurti e kishte dhënë për Radiotelevizionin 21, në emisionin “Argument plus”, më 8 janar 2016.
Albin Kurti, në atë kohë kryetar i partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, kishte folur për dënimin 9 policëve të Kosovës që kishin rrahur truprojat e Aleksandar Vulin, ngjarje që kishte ndodhur në vitin 2013.
“A e di ku unë e kam parë se një farë mënyre kjo Policia jonë ka vdekur për së gjalli? 8 mijë policë i kemi, shokët e tyre, 9 sosh ua dënuan me 9 vjet burg. Asnjë polic nuk e qeli gojën. Kjo tregon që prej policit të thjeshtë deri te drejtori i Policisë e deri te Sindikata e Policisë kanë vdekur për së gjalli. Se me t’i dënu 9 policë 11 vjet burg pse na i paskan rrahu trupopërojat e Vulinit e mos me guxu me qelë gojën asnjë polic, kjo i bjen me vdekë prej së gjalli”- kishte thënë Kurti në intervistë (shih videon nga min 53:34).
Policia e Kosovës në vitin 2013 kishte arrestuar nëntë persona në Graçanicë, për “arsye sigurie”, gjatë vizitës së Alexander Vulin në manastirin e Graçanicës. Vulin asokohe ishte shef i Zyrës së Qeverisë Serbe për Kosovën.
Policia kishte thënë se për shkaqe të sigurisë së përgjithshme, zyrtari nga Beogradi ishte nën përcjellje të Policisë së Kosovës në Graçanicë.
“Personat e dyshuar janë ndaluar bazuar në autorizimin e prokurorit nga Policia pasi që gjatë përcjelljes së eskortës se z. Vulin, e cila ishte përgjegjësi e Policisë së Kosovës, kishin sjellje dhe veprime të dyshimta”, thuhet në një komunikatë shtypi të Policisë së Kosovës.
Prokurorja e EULEX-it, Natasha Vicary, i kishte akuzuar policët e Kosovës, përkatësisht Gani Konjuhin, Sabit Sadikun, Naim Durmishin, Sevdaim Abdullahun, Nexhmedin Zahitin, Jeton Ramadanin, Nexhat Shabanin, Xhafer Hysenin, Vesel Kerqelin, Zenel Salihun dhe Ilmi Rexhepin se kanë rrahur dhe keqtrajtuar 10 truproja të ministrit serb, Aleksander Vulin.
Në intervistën e transmetuar në vitin 2016, Kurti përveç incedentin me truprojet e Vulinit, kishte folur edhe për rastin e arrestimit të dy policëve në vitin 2012, afër pikës kufitare në Dumnicë të Podujevës.
Kurti kishte thënë se policëve të Kosovës “u është dhunuar patriotizmit”, duke i shtrirë në tokë policia serbe.
“Prandaj unë nuk kam shpresë në sundim të ligjit, zbatim të ligjit prej kësaj policie, të cilës nuk i ka mbetur asnjë gram patriotizëmi. Ua kanë dhunuar, tre policë në Dumnicë, Xhandarmëria serbe ua ka shtrirë në dushk të malit, ratë’-kishte shtuar ai, në intervistën e dhënë në vitin 2016.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Arlind Manxhukën, zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që udhëhiqet nga Albin Kurti. Ai ka thënë se video është shkëputur dhe është nxjerr jashtë kontekstit.
“Intervista është e vitit 2016 dhe kjo video është e prerë dhe manipuluar duke e nxjerrë tërësisht nga konteksti deklaratën”- ka thënë Manxhuka për KALLXO.com.
|