schema:text
| - Huqja e mediave për rritjen e punësimit
Deklarata
Punësimi në Kosovë është rritur për 45% dhe se kjo i ka ndihmuar mbështetja qeveritare
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Konstatimi se kryeministri i Kosvës, Albin Kurti, ka thënë se “punësimi në Kosovë është rritur për 45% dhe se kjo i ka ndihmuar mbështetja qeveritare”- nuk është i saktë. Kryeministri Kurti nuk e ka thënë se punësimi është rritur për 45%, por ka thënë se “krahasuar me para tri viteve në Kosovë është rritur punësimi për 20% përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar”. Edhe në një postim të bërë në muajin mars të vitit 2024, Kurti kishte thënë se punësimi është rritur për 20% në tri vite. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave thonë se krahasuar më vitin 2020, punësimi në vitin 2023 ishte për 22% më i lartë kurse krahasuar me vitin 2021 punësimi ishte për 11% më i lartë.
Artikulli
Më 29.08.2024 Agjencia e Lajmeve “Ekonomia Online” (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Kurti: Punësimi në Kosovë është rritur falë mbështetjes qeveritare”.
Informacioni i njëjtë është shpërndarë edhe në disa portale dhe faqe të Facebook-ut si, Gazeta Imazhi (arkiva), Gjilani (arkiva), Indeksonline (arkiva), Kosova Sot (arkiva), Botapress.info (arkiva), Realiteti (arkiva), Fakte Press (arkiva), gazeta10 (arkiva), ATVlive (arkiva), RTV BESA (arkiva), Shekulli.info (arkiva), 04 Online (arkiva), Klan Kosova (arkiva), Zëri (arkiva), Gazeta Express (arkiva), Dukagjini (arkiva), KosovaLive (arkiva), VushtrriaOnline (arkiva), Press Online (arkiva), Gazeta Scanner (arkiva), Gazeta Metro (arkiva), Rajonipress (arkiva), Buletini ekonomik (arkiva), Zhurnal.mk (arkiva), Fokusi Info (arkiva) dhe Njeshi (arkiva).
Ky artikull është shkruar bazuar në fjalimin që ka mbajtur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar. Në fillim të artikullit pretendohet se Kurti ka thënë se punësimi në Kosovë është rritur për 45%.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se punësimi në Kosovë është rritur për 45 për qind dhe se kjo i ka ndihmuar mbështetja qeveritare”- thuhet në fjalinë e parë të këtij artikulli të publikuar në disa media në Kosovë.
Në artikullin e publikuar në “Ekonomia Online” është vendosur citati i plotë i kryeministrit Kurti, por që nuk është i njëjtë me fjalinë e parë. Në deklaratën e Kurtit që është vendosur si citat, Kurti thotë se për 3 vjet të mandatit të tij, punësimi është rritur për 20% e jo 45% siç thuhet në fillim të artikullit. Kurse në disa faqe të tjera në citatin e Kurtit nuk është përfshirë fare shifra e rritjes së punësimit prej 20%.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër përmes kërkimeve në internet ka gjetur një pjesë të fjalimit të Kurtit që është mbajtur më 29.08.2024.
Në këtë fjalim kryeministri Kurti nuk thot që punësimi është rritur për 45%, por thotë që punësimi është rritur për 20%.
“Krahasuar me para tri viteve, në Kosovë është rritur punësimi për 20%, përfshirë këtu edhe dyfishim e të rinjve të punësuar”- ka thënë Kurti në këtë video të publikuar në Facebook.
Në ueb-faqen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës është publikuar fjalimi i plotë i kryeministrit Kurtit që është mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar (PZHRB 2024), organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.
Edhe në këtë transkript është shifra e rritjes së punësimit vetëm 20%.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të mbështesë sektorin privat, i cili është një faktor i rëndësishëm i punësimit dhe i rritjes ekonomike në vendin tonë. Krahasuar me vitin 2022, tash që po flasim në vitin 2024, Bruto Produkti Vendor është për 1/3 më i lartë, ndërkaq buxheti shtetëror vjetor është për 35 për qind më i lartë. Sigurisht që kjo është përkthyer edhe me punësim të shtuar, krahasuar me para tri viteve në Kosovë është rritur punësimi për 20 për qind përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar. E padyshim që kjo ka ndikuar edhe në rritjen e fitimit dhe zgjerimit të aktivitetit të sektorit privat”- ka thënë kryeministri Kurti bazuar në transkriptin e fjalimit (arkiva) të publikuar në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit.
Tutje, Krypometër ka kërkuar nëse kryeministri Kurti ka folur ndonjëherë tjetër për rritjen e punësimit. Përmes kërkimit të fjalës “punësim” në profilin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Facebook, Krypometër ka gjetur një postim të bërë më 23.03.2024. Në këtë postim, kryeministri Kurti kishte publikuar një shkrim të gjatë së bashku me një infografikë, në të cilën thuhet se punësimi në tri vite është rritur për 20%.
Krypometër ka kërkuar edhe të dhënat në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila është përgjegjëse për përpilimin e statistikave për papunësinë dhe punësimin. ASK-ja ka të publikuara statistikat e punësimit dhe papunësisë deri në vitin 2023. Shembull, vetëm në vitin 2023 sipas ASK-së, shkalla e punësimit ishte 36,3% apo 2,5% më e lartë sesa në vitin paraprak. Kurse, në vitin 2022 ka pasë një rritje prej 2.7% të punësimit krahasuar me vitin 2021. Krahasuar me vitin 2020 të AFP-së në Kosovë, në vitin 2021 ka pasur rritje të shkallës së punësimit me 2.7%.
Bazuar në të dhënat e ASK-së, në vitin 2023 ishin 425 mijë persona kurse në vitin 2020 ishin 347,072 persona të punësuar, që i bie se në vitin 2023 kishte 22% më shumë të punësuar krahasuar me vitin 2020. Në mars të vitit 2020 ishte shpallur pandemia COVID-19 në Kosovë dhe si rrjedhojë ishin marrë disa vendime kufizuese për biznese, e kjo kishte rezultuar me një zbrapsje prej 5.3% dhe kishte mbi 16 mijë persona më pak të punësuar krahasuar me vitin 2019.
|