schema:text
| - Burim Berisha, LDK,Fushë Kosovë. Foto: Atdhe Mulla
Burim Berisha nuk e mban fjalën për drejtoresha të komunës
Deklarata
Burim Berisha: Katër drejtoresha ka me i bo. Sicili kryetar i ka detyrat e veta, përgjegjësit e veta dhe unë mendoj se katër drejtoresha do të jenë të mjaftueshme për të dhënë atë që është e nevojshme
Vlerësimi
Rrenë
Burim Berisha nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë për emërimin e katër grave në krye të drejtorive. Megjithatë, nga 10 drejtori ai i ka emëruar 3 gra në pozitat udhëheqëse si dhe kryesuesen e Kuvendit Komunal kjo komunë e ka një grua. Përkundër përfaqësimit më të mirë të grave në këtë komunë, krahasuar me komunat tjera, kryepometri vlerëson se premtimi i dhënë duhet të mbahet.
Artikulli
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, nuk e ka mbajtur premtimin për emërimin e grave në krye të drejtorive komunale.
Në debatin zgjedhor “Jeta në Komunë”, në tetor 2017, Berisha pati thënë se katër drejtoresha janë të mjaftueshme për të qenë në kabinetin e tij.
“Katër drejtoresha kam me i ba. Secili kryetar i ka detyrat e veta, përgjegjësitë e veta dhe unë mendoj se katër drejtoresha do të jenë të mjaftueshme për të dhënë atë që është e nevojshme”, pati thënë Berisha gjatë debatit me kundër-kandidatët e tij për zgjedhjet lokale 2017 për Komunë të Fushë Kosovës.
Pas marrjes së mandatit si kryetar komune, KALLXO.com në janar 2018 ka verifikuar nëse Berisha ka mbajtur premtimin për emërimin e katër grave drejtoresha. Asokohe Berisha pati treguar se janë emëruar tri drejtoresha dhe pritet të emërohet edhe drejtoresha e katërt.
“Kanë qenë tri drejtoresha gra dhe janë të njëjtat. Kryesuesja e Kuvendit Komunal është grua. Së shpejti do të vendosim edhe një grua drejtoreshë”, tha Berisha.
Në muajin shkurt 2018, KALLXO.com po ashtu ka kërkuar informacion për të parë nëse Berisha ka emëruar gruan e katërt për drejtoreshë por kryetari ishte përgjigjur se “Jo nuk ka ndryshime tani për tani”.
Edhe pas shtatë muajve të mandatit të Burim Berishës, komuna vazhdon të udhëhiqet nga tri gra drejtoresha. Për KALLXO.com, sot kryetari Berisha pranoi se janë tri drejtoresha që udhëheqin në Komunën e Fushë Kosovës por tha se edhe Kuvendi Komunal udhëhiqet nga një grua.
“Kryesuesja dhe tri drejtoresha janë tani”, u përgjigj shkurt kryetari Berisha.
Tri drejtoreshat e ri-emëruara në Komunën e Fushë- Kosovës janë Nurije Fazliu, e cila do ta drejtojë Drejtorinë e Administratës; Mimoza Kolshi, Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Nurije Avdiu, Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Po ashtu, në këtë mandat, është zgjedhur edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vjollca Ternava- Konjusha.
Ndërsa drejtorët tjerë vazhdojnë të mbesin emrat e njëjtë që kanë qenë në qeverisjen komunale të kaluar.
Drejtorinë për Financa dhe Buxhet, po e drejton Ramadan Jashanica, Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik, Ekrem Berjani, Drejtorinë për Planifikim Urban, Abdullah Prebreza, Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Jakup Tërrnava, Drejtorinë për Arsim, Islam Shabani, Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Mjedis, Maliq Berisha dhe Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Mehmet Gërguri.
http://kallxo.com/burim-berisha-premton-kater-gra-drejtoresha/
|