schema:text
| - Rrena se Ilir Shaqiri do të bëjë këngë për Albin Kurtin
Deklarata
Këtë vit planifikoj të bëj një këngë për Albin Kurtin!
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Këtë vit planifikoj të bëj një këngë për Albin Kurtin!” është i rremë. I kontaktuar nga Krypometër, këngëtari Ilir Shaqiri ka thënë se asnjëherë nuk e ka bërë një deklaratë të tillë. Ai ka thënë se nuk e ka në plan të realizojë një këngë për kryeministrin Albin Kurti. Shaqiri njihet si këngëtar që ka realizuar shumë këngë për patriotë, sidomos ata që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
Artikulli
Më 13 janar 2024 faqja “Me Albin Kurtin” (arkive) në rrjetin social Facebook ka shpërndarë një foto të këngëtarit Ilir Shaqiri me mbishkrim “Këtë vit planifikoj të bëj një këngë për Albin Kurtin!”
Ky postim ka marrë 1,400 pëlqime, 145 komete dhe 36 shpërndarje.
Krypometri ka kontaktuar me këngëtarin Ilir Shaqiri, për të parë nëse ka deklaruar si është cituar në faqen “Me Albin Kurtin”: “Këtë vit planifikoj të bëj një këngë për Albin Kurtin!
Shaqiri ka thënë se asnjëherë nuk e ka dhënë një deklaratë të tillë. Madje, ai ka thënë se kjo është një rrenë që është rishpërndarë disa herë gjatë dy viteve të fundit.
“Kjo gënjeshtër është përhapur para dy vitesh dhe qenka përseritur prapë. Nuk kam bërë reagim sepse nuk kam kohë për ta”- ka deklaruar Shaqiri.
Pas deklarimit të Shaqirit, Krypometër përmes kërkimeve në internet ka gjetur se në po këtë faqe Me Albin Kurtin (arkive), i njëjti postim me këtë mbishkrim ishte bërë edhe në dhjetor 2021 dhe kishte marrë mbi 1 mijë pëlqime e dhjetëra komente e shpërndarje. Këngëtari Ilir Shaqiri gjatë karrierës së tij muzikore i ka kushtuar shumë këngë luftës së Kosovës për liri e pavarësi si dhe shumë personave që dhanë jetën për këtë kauzë.
Në vitin 2007, Shaqiri e kishte realizuar një këngë kushtuar Pavarësisë së Kosovës e cila ishte kthyer në simbol në ditën e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008.
Shaqiri ka realizuar këngë edhe për Komandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe disa patriotë të tjerë.
Krypometër ka kërkuar në kanalin zyrtar të këngëtarit Ilir Shaqiri në Youtube dhe aty nuk është e publikuar ndonjë këngë kushtuar politikanëve të Kosovës.
Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës më 22 mars 2021, pasi zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021 në të cilat Lëvizja Vetëvendosje kishte 50.2 % të votave.
|