schema:text
| - Video e Kurtit në gjuhën serbe e manipuluar me deklarata të rreme
Deklarata
“Në vitin 2015 i kundërshtuam marrëveshjet për ti mashtruar shqiptarët, tash në veri nënshkruam që të hyn nëna Serbi”
Vlerësimi
Rrenë
Video me mbishkrimin “Në vitin 2015 i kundërshtuam marrëveshjet për ti mashtruar shqiptarët, tash në veri nënshkruam që të hyn nëna Serbi” është e ndryshuar për shtrembërim të deklaratës së bërë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në videon e publikuar janë vendosur titra në gjuhën shqipe me përmbajtje të rreme, gjoja të përkthyer nga ajo çfarë ka thënë Kurti. Kurti në gjuhën serbe flet rritjen ekonomike, për investimet e huja dhe arritjet e qeverisë që drejton ai.
Artikulli
Më 22 qershor 2022, faqja e Facebook-ut “Albanian Real News”, ka publikuar një video të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti duke iu drejtuar qytetarëve në gjuhën serbe.
Në titrat e kësaj video të Kurtit, shkruan “Prioriteti ynë është që t’i dëmtojmë shqiptarët ekonomikisht. Vitin e kaluar Qeveria u përqendrua te rryma elektrike. Për ti dëmtuar Shqiptarët, faturat e rrymës ua rritëm për 48% dhe të gjitha gjërat elementare i rritëm deri në 100% më shtrenjtë. Të gjitha tatimet që ne i marrim nga Shqiptarët i kemi arrit 400 mil ti investojmë në veri. Të gjitha pagat do ti rrisim ngapak, kurse këtyre të UCK-së, asnjë cent”.
Sipas kësaj videoje, Kurti thotë se “Në vitin 2015 i kundërshtuam marrëveshjet për ti mashtruar shqiptarët, tash në veri nënshkruam që të hyn nëna Serbi”.
Kjo video është e manipuluar. Në video është montuar flamuri i Serbisë në prapavijë të Kurtit, ndërsa titrat në këtë video janë të rrejshme pasi kryeministri Albin Kurti nuk e ka dhënë këtë deklaratë.
Video origjinale është publikuar më 21 qershor 2022 në faqen zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës në të cilën kryeministri Albin Kurti u është drejtuar qytetarëve në gjuhën serbe lidhur me zhvillimin ekonomik.
“Javën e ardhshme po e përmbyllim tre mujorin e parë të vitit të dytë të qeverisjes sonë. Zhvillimi ekonomik ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë. Gjatë vitit të kaluar politikat dhe veprimet tona kanë pasur ndikim pozitiv. Kemi shënuar rritje ekonomike prej 10.53% të bruto produktit vendor, eksporti është rritur prej 83% dhe investimet e huaja direkte janë rritur për 22%. Ekonomisë i kemi shtuar 25 mijë vende pune, kemi shpërndarë mbi 400 milionë euro përmes pakos sonë së Ringjalljes Ekonomike, dhe për herë të parë në më shumë se një dekadë do të rrisim pagën minimale nga 130 dhe 170 në 264 euro, që do të jetë e liruar nga tatimi. E di së në muaj të fundit jemi ballafaquar me rritje të çmimeve në treg, të nxitura nga invazioni rus në Ukrainë”- ka thënë Kurti në këtë video mesazh.
Video e montuar ka 24 mijë shikime dhe mbi 250 komente, ndërsa faqja e Facebook-ut, “Albanian Real News”, ka 27 mijë ndjekës.
|