schema:text
| - Flamuri i Francës, Foto: Pixabay
Infografika e rremë se Franca i ka pezulluar vizat për Kosovën
Deklarata
Franca ka suspenduar vizat për Kosovën
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi që Franca ka suspenduar vizat për Kosovën është i rremë. Krypometër ka konstatuar se deklarata e presidentit Francez ka pasur gabime në përkthim të cilat janë përmirësuar nga mediat.
Artikulli
Më 17 tetor 2023, në grupin “Qeveria Kurti II, 22 mars 2021” (arkiva) në rrjetin social Facebook, është shpërndarë një infografikë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Infografika e cila përmbanë një deklaratë të Macron, i është vendosur një mbishkrim “Makaroni Filorus”.
Në infografikë thuhet “E them me shumë qartësi që iu kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe e njëjta nuk po mbahet”.
Postimi i publikuar në këtë grup është prezantuar në atë mënyrë duke le të nënkuptohet se Franca ka pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Mirëpo, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është pezulluar dhe asnjë vend anëtar i Bashkimit Europian nuk ka kërkuar një gjë të tillë nga BE-ja.
Në një përgjigje për KALLXO.com më 20 tetor 2023, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka konfirmuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Në një përgjigje të dhënë sot për KALLXO.com, Zyra e BE-së, këtë e ka quajtur moment historik në marrëdhëniet BE– Kosovë.
“Liberalizimi i vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Ai do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë si turistë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore”- thuhet në përgjigjen e Zyres së Bashkimit Europian në Kosovë për KALLXO.com.
Çështja e vizave për Kosovën ka qenë pjesë e diskutimeve këtë javë për shkak të një deklarate të presidentit Macron, e dhënë të martën në Tiranë.
Më pas doli që deklarata e Macronit është keqinterpretuar për shkak të gabimit në përkthim dhe mediat e përmirësuan deklaratën. Disa nga mediat më pas e fshinë lajmin e publikuar por disa të tjera ende vazhdojnë ta kenë nëpër ueb-faqet e tyre, pa ndonjë sqarim apo shënim, se ai informacion nuk është i saktë.
Pas përhapjes së lajmit që Macron ka thënë se Franca ka pezulluar vizat për Kosovën, nga Zyra e Presidentit të Francës kanë dhënë një sqarim lidhur me këtë çështje për Euractiv.com.
“Kjo nuk është çështja. Vendimi nuk është marrë, është në dorë të autoriteteve të Kosovës dhe në çdo rast është vendim evropian. Presidenti po fliste për tensionet me Serbinë dhe Kosovën. Në kuadër të bllokadës nga Prishtina, presidenti konsideron se tema e liberalizimit të vizave është ende e hapur”– ka thënë Zyra e Presidentit të Francës në një përgjigje për Euractiv.com.
Vendimi për lejimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës është nënshkruar nga Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli dhe pritet të hyjë në fuqi.
Më 25 prill 2023, në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian është publikuar rregullorja 2023/850 për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas nenit 2 të kësaj rregulloreje, ajo hyn në fuqi në ditën e 20-të pas publikimit në gazetë zyrtare, që i bie më 15 maj 2023.
Kosova ka nisur zyrtarisht edhe fushatën informuese për vizat.
Ambasada gjermane në Kosovë, ka njoftuar qytetarët që kanë pasaporta të Kosovës se duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtëra.
Sipas njoftimit të ambasadës, udhëtimi pa viza nuk mundëson punën në Zonën Shengen.
|