schema:text
| - Rrena se qytetari serb ka provokuar me flamurin e UÇK-së në veturë
DeklarataMedia
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i videos se “serbët dalin në rrugë me flamurin e UÇK-së” është i rremë. Titulli është konstatues dhe nuk eliminohet konstatimi i rrenë vetëm duke e vendosur një pikëpyetje në fund të asaj fjalie. Policia e Kosovës ka thënë se e kanë identifikuar qytetarin që shihet në video dhe se ai është shqiptar, përkatësisht një mërgimtar, i cili ka ardhur për pushime në Kosovë dhe se atë ditë ka qenë krushk në një dasmë. Edhe përmbajtja e videos për të cilën ngriten dyshime se personi në fjalë mund të jetë serb është e rreme. Kjo video është publikuar pa e marrë një prononcim nga Policia e Kosovës. Mediat duhet të bëjnë përpjekje për të verifikuar faktet para se të bëjë konstatime për një situatë të caktuar.
Artikulli
Faqja në Facebook “Kosova.info” ka shpërndarë një video me titullin: “Serbët dalin në rrugë me flamurin e UÇK-së?”. Kjo video thuhet se është xhiruar në Kllokot, më 2 gusht 2022.
Në video shihet një veturë me targa RKS, të rajonit të Gjilanit (06), e cila është parë me një flamur të UÇK-së duke valuar në dritaren e saj.
Ndërsa, dy persona të tjerë që e xhirojnë krejt këtë ngjarje e ndjekin veturën që bartë flamurin e UÇK-së dhe kërkojnë llogari nga vozitësi i saj.
Kur vozitësi i veturës me flamur ndalon veturën dhe hap dritaren, djemtë e pyesin se cilit nacionalitet i përket, nëse është shqiptar apo serb. Madje ata insistojnë të marrin edhe emrin e tij.
“Nëse je shqiptar të përkrahim, nëse je serb…”, dëgjohet të thotë njëri prej tyre.
Edhe pse në video djemtë nuk vijnë në përfundim se vozitësi është serb, videoja e publikuar nga “kosova.info”, është e shoqëruar edhe me një përshkrim, ku thuhet se serbët kanë dalë me flamurin e UÇK-së për të provokuar.
Ky portal ka njoftuar se personi që ka qenë duke e vozitur veturën me flamurin e UCK është arrestuar.
“Në fshatrat e banuara me serbë të komunës së Kllokotit, serbët dalin në rrugë me flamurin e UÇK-së duke provokuar, e më pas duke akuzuar shqiptarët se po i provokojnë, por dy shqiptarë nga komuna së Vitisë e kanë zbuluar këtë situatë dhe e kanë ndaluar serbin duke i marrë edhe flamurin e UÇK-së, më pas i dyshuari është arrestuar nga policia e Kosovës. Ngjarja ka ndodhur në komunën e Kllokotit në fshatrat Gernçar dhe Verbovc”- thuhet në përshkrimin e shpërndarë në Facebook së bashku me videon nga “kosova.info”.
“Kosova.info” ka potencuar se vozitësi i veturës me flamur është arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës. Ky përshkrim i kësaj video që ka marrë 250 mijë shikime është ndryshuar dhe tash e njëjta video ka vetëm përshkrimin: “Serbët dalin në rrugë me flamurin e UÇK-së?”.
KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës e cila e ka demantuar informacionin e publikuar nga “kosova.info” se vozitësi i veturës, në të cilën valonte flamuri i UÇK-së, është serb.
“Sipas informacioneve zyrtare, personi në të cilën shihet në video është identifikuar. Sipas të dhënave policore, personi i cili shihet me veturë dhe flamur është i nacionalitetit shqiptar. Ai është një mërgimtar i cili ka ardhur për pushime në Kosovë”- tha për KALLXO.com Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Rajonit të Gjilanit.
KALLXO.com ka marrë vesh që mërgimtari ka qenë krushk në një dasmë që kanë shkuar rrugës për të marrë nusen.
Policia e Kosovës ka thënë se për rastin në fjalë nuk ka të arrestuar.
“Nuk ka të arrestuar për këtë çështje, kjo nuk është e vërtetë” tha zëdhënësi i Policisë.
|