schema:text
| - Promovimi i barnave për shërbim të parazitëve përmes mjekëve fiktivë
Deklarata
PAPILOMAT SHKAKTOHEN NGA PARAZITET NE TRUP!
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “PAPILOMAT SHKAKTOHEN NGA PARAZITET NE TRUP!” është i rremë. Në artikull janë përdorë mjekë fiktivë me qëllim të shitjes së një bari të caktuar. Bari që reklamohet nuk është pjesë e Listës së produkteve me Autorizim për Marketing në Republikën e Kosovës. Në listën e anëtarëve të Odës së Mjekëve të Kosovës, nuk bën pjesë asnjë doktor me emrin Shpresa Karaj, e cila citohet në këtë artikull.
Artikulli
Më 29 janar të vitit 2024, faqja e internetit ‘JETË E SHËNDETËSHME’,(arkiva) ka publikuar një artikull me titull: “PAPILOMAT SHKAKTOHEN NGA PARAZITET NE TRUP!”.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në Facebook në faqen “Stephanie Moore” me mbishkrimin “mjekët ua rekomandojnë të gjithëve këtë recetë për të pastruar trupin! Parazitët e lënë trupin në një gungë, dhe papillomat zhduken menjëherë, thjesht duhet ta merrni çdo ditë”.
Artikulli pretendon se e citon Shpresa Karaj, Profesore e Asociuar në Institutin e Kërkimeve Shkencore të Mjekësisë Tropikale.
Sipas artikullit “Dr. Karaj ka një përvojë prej 25 vitesh në këtë fushë”.
Krypometër ka kontrolluar edhe në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë nëse ekziston një institut i tillë, por në organogramin e publikuar në faqen e kësaj ministrie nuk figuron asnjë institut i “Kërkimeve Shkencore të Mjekësisë Tropikale”.
Në artikull, Shpresa Karaj është ilustruar me një fotografi të cilën Krypometër përmes ‘Tine Eye’, ka gjetur se personi në fotografi nuk është Shpresa Karaj.
Fotografia e publikuar si “Shpresa Karaj” është fotografi e bërë me qëllim të ilustrimit të profesionit të mjekut. E njëjta fotografi mund të shkarkohet falas dhe të përdoret për ilustrim të profesionit të mjekut.
Krypometër ka kërkuar edhe te Oda e Mjekëve të Kosovës nëse Shpresa Karaj është në listë.
Në listën e anëtarëve të Odës së Mjekëve të Kosovës, nuk bën pjesë asnjë doktor me emrin Shpresa Karaj.
Oda e Mjekëve të Kosovës është organizatë e përfaqësimit profesional të mjekëve, e cila mbron etikën dhe deontologjinë mjekësore.
Artikulli rekomandon barin ‘Germostop’, i cili thuhet se shkatërron dhe eliminon të gjithë parazitët që jetojnë kudo në trup.
Krypometër ka pyetur Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, nëse ky produkt është pjesë e Listës së produkteve me Autorizim për Marketing në Republikën e Kosovës.
“Bazuar në kërkesën si më poshtë po ju njoftoj se produkti “Germostop” sipas kërkesës së më poshtme dhe sipas fotos së bashkangjitur nuk posedon Autorizim Marketing në departamentin e AM-së.
Ndërsa sa i përket protokoleve të përdorimit Departamenti i AM-së nuk është kompetent për krijmin e protokoleve të përdorimit”, – thuhet në përgjigjen e Muhamer Beshirit, Shef i Divizionit në Departamentin e Autorizim Marketingut.
Krypometër ka kontaktuar me Rexhep Morinën, specialistë i Dermatologjisë.
Ai ka thënë se shkaktari i papillomave ështe HPV (human papilloma virus), por që njihen edhe më shumë se 70 nëntipe të këtij virusi.
Përshkrimi i barnave për trajtim të papillomave bëhet në vartësi të nëntipit të këtij virusi.
“Varësisht prej nëntipit kemi edhe prezencë të luthave të njohur si verrucae vulgaris, genitalis (condylloma) si dhe fibromave nëpër regjione të ndryshme. Trajtohen me metoda dhe preparate të ndryshme si: Kryotherapi (azot i lenget), termokauter, laser dhe preparate si: TCA, podophilotoxin, imiquimod, etj..”- ka thënë Morina për Krypometër.
|