Fotografi/ facebook
Rrena se komunat nuk kanë kryer mirëmbajtjen e autostradës “Arbën Xhaferi”
Deklarata
Kompanit e PASTRIMIT të Bores që KONTRAKTOHEN nga KOMUNAT Për Mirmbajtjen E RRUGE
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull “Kompanit e PASTRIMIT të Bores që KONTRAKTOHEN nga KOMUNAT Për Mirmbajtjen E RRUGE“ është i pavërtetë. Krypometër ka verifikuar se rruga në fjalë mirëmbahet nga Ministria e Infrastrukturës e jo nga komunat. Si rrjedhojë, pretendimi që komunat janë zënë në befasi në këtë rast është i pavërtetë.
Artikulli
Facebook profili “Met’i Kosova” më datë 25/11/2023 ka postuar një video në grupin “DIASPORA@SHQIPTARE” (Arkivi) në të cilin pretendohet se komunat nuk janë kujdesur për mirëmbajtjen e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Në këtë postim është thënë se kompanitë e pastrimit të borës që kontraktohen nga komunat janë zënë në befasi më 25.11.2023, ditën kur ka rënë borë.
Krypometër ka kontrolluar dhe ka arritur të verifikojë se video burimore është publikuar nga portali “Indeksonline” më datë 25.11.2023. Në publikimin e Indeksonline nuk përmendet që komunat nuk e kanë mirëmbajtur rrugën. Aty vetëm thuhet se materiali është filmuar në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Po e njëjta video, më pas është përdorur nga profili “Met’i Kosova” në faqen “DIASPORA@SHQIPTARE” duke thënë se komuna është zënë në befasi.
Krypometër ka verifikuar edhe nëse komunat janë përgjegjëse për të mirëmbajtur autostradat.
Autostradat janë rrugë që lidhin rajonet dhe në Kosovë ato janë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës.
Në faqen e kësaj ministrie është e publikuar edhe harta me rrugët të cilat janë në përgjegjësi të ministrisë, e ku përfshihet edhe autostrada ‘Arbën Xhaferi’.
Për të verifikuar edhe më tutje informacionin, Krypometri ka kontaktuar me zëvëndësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Ai ka konfirmuar për Kryepometër se autostradat janë nën mbikëqyrjen e Ministrisë, e jo nën mbikëqyrjen e komunave.
“Autostradat, rrugët rajonale dhe rrugët nacionale mirëmbahen nga ministria”- tha Durmishi për Krypometër.