schema:text
| - Asambleja Komunale e Mitrovicës së Jugut. Foto: Kallxo.com
Pushteti i embël për AAK-në e Mitrovicës
Deklarata
AAK: Pas tentimeve të shumta për të harmonizuar qëndrimet dhe programin e AAK-së në këtë komunë, është vlerësuar se AKR ka mungesë të theksuar të vullnetit për bashkëpunim.
Vlerësimi
Me kos
Vendimi për të lënë pushtetin ka qenë gjë e vështirë për degën e AAK-së në Mitrovicë. Njëherë kanë paralajmëruar prishjen e koalicionit me Agim Bahtirin e AKR-së dhe daljen në opozitë. Ky paralajmërim ishte vlerësuar më pas gjë e ngutshme. Tashmë bashkëqeverisja në mes të AKR-së dhe AAK-së po vazhdon në Mitrovicë.
Artikulli
Më 4 shkurt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kishte njoftuar se ka vendosur që të ndërpritet koalicioni me Aleancën Kosova e Re (AKR) në Komunën e Mitrovicës.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të AAK-së, ku ndër të tjera thuhej se arsyeja e ndërprerjes se koalicionit është se “AKR ka mungesë të theksuar të vullnetit për bashkëpunim”.
“Pas tentimeve të shumta për të harmonizuar qëndrimet dhe programin e AAK-së në këtë komunë, është vlerësuar se AKR ka mungesë të theksuar të vullnetit për bashkëpunim”, thuhej në njoftimin e AAK-së i cili ishte publikuar në Facebook.
Të nesërmen, më 5 shkurt, Dega e AAK-së në Mitrovicë kishte mbajtur mbledhje 2 orëshe në lidhje me daljen nga koalicioni me AKR-në, por pa ndonjë rezultat.
“Dega ka mbajtur diskutim mbi dy orë në zyrat e AAK-së në Mitrovicë, ende nuk kemi mundur të dalim me një qëndrim zyrtar përfundimtar në lidhje me koalicionin me AKR-në“, ka thënë Fahri Isufi, anëtar i Këshillit Drejtues të AAK-së dega në Mitrovicë.
I pyetur lidhur më njoftimin në rrjetin social Facebook, përmes të cilit edhe ishte bërë e ditur për prishje të koalicionit, Isufi kishte deklaruar se ka qenë një postim i pa konsultuar mirë.
“Ka qenë një postim i pa konsultuar mirë me të gjithë akterët e degës dhe si i tillë tani po shqyrtohet brenda degës me takime të mbyllura“, kishte shtuar Isufi.
Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës, ka deklaruar se kalimi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i ish-kryesuesit të Asamblesë Komunale, i cili u shkarkua nga kjo pozitë, nuk e ka luhatur koalicionin mes AKR-së dhe AAK-së.
“Kryesuesi i Kuvendit komunal ka qenë i AKR-së dhe u shkarku, asgjë tjetër. Koalicioni nuk është prishur, derisa nuk më vjen shkresa direkte prej tyre. Unë nuk e di që Aleanca në Mitrovicë ka mbajt mbledhje për prishje të koalicionit. Nuk kam bërë koalicion me qeverinë në qendër por kam bërë me atë lokal dhe nga ata lokal ende nuk kam marr ndonjë vendim“, ka thënë Agim Bahtiri për KALLXO.com.
Në njoftimin e AAK-së në Mitrovicë, të datës 4 shkurt thuhej se zhvillimet e javëve të fundit në Mitrovicë kanë qenë vendimtare në marrjen e këtij vendimi.
Menjëherë pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka dalë me idenë për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave më qëllim ‘bashkimin’ e Mitrovicës.
Pasi mori mbështetjen e Kuvendit Komunal, Bahtiri iu drejtua Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), mirëpo kjo e fundit nuk i dha ‘dritën’ jeshile kësaj iniciative nën arsyetimin se nuk ka bazë ligjore.
Madje për jetësimin e kësaj iniciative Bahtiri kërkoi edhe ndihmën e Qeverisë. Kjo e fundit e konsideroi idenë e tij si vullnet të mirë por nuk i dha mbështetje.
Ndërsa pasi iu mbyllën të gjitha ‘dyert’ institucionale, kryetari Bahtiri kërkoi ndihmën e qytetarëve të cilët me anë të peticionit do të vendosin për këtë bashkim.
Mitrovica e Veriut është themeluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në bazë të propozimit për statusin të emisarit të OKB-së, Martti Ahtisaari por dy komunat, ajo e Jugut dhe e Veriut, ende nuk kanë gjetur zgjidhje për ndarjen e kufijve mes tyre për shkak të mospajtimeve rreth disa fshatrave të banuara me shqiptarë në pjesën veriore.
|