schema:text
| - Vuçiq nuk ka ndikuar në vendimet e grupeve parlamentare të LDK-së dhe AAK-së
Deklarata
Vuçiqi po i tërheq nga Kuvendi një nga një. Filloi me Listën Srpska, LDK… tash e paska tërheq edhe AAK-në! Shumë i poshtër!
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Vuçiqi po i tërheq nga Kuvendi një nga një. Filloi me Listën Srpska, LDK… tash e paska tërheq edhe AAK-në! Shumë i poshtër!” është i rremë. Dy partitë parlamentare, LDK dhe AAK, kanë thënë se nuk ndikohen nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Të dy partitë, LDK dhe AAK, vazhdojnë të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Artikulli
Më 9 korrik 2023 faqja e Facebook-ut “Thënie nga Albin Kurti” ka publikuar një postim në të cilin pretendohet se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ndikon që nga Kuvendi i Kosovës të tërhiqen deputetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Vuçiqi po i tërheq nga Kuvendi një nga një. Filloi me Listën Srpska, LDK… tash e paska tërheq edhe AAK-në! Shumë i poshtër!”- shkruhet në postim.
Krypometri ka kontaktuar me zëdhënësen e LDK-së, Sibel Halimi, e cila ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk ka asnjë ndikim në vendimet e LDK-së dhe deputetëve të saj.
“Ky postim ka përmbajtje të rreme, pasi nuk ka ndikim të tillë”- ka thënë Halimi për KALLXO.com.
Edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli ka thënë se postimi është i rremë.
“Lajmi në fjalë është ‘fake news’ i radhës dhe si i tillë nuk qëndron aspak. Lajme të rreme të kësaj natyre hasim tërë kohën, në shumicën e rasteve të orkestruara nga mbështetës të partisë në pushtet”- ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.
LDK-ja dhe AAK-ja vazhdojnë të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e këtyre partive kanë qenë pjesë e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës që është mbajtur më 13 korrik 2023, apo katër ditë pas këtij postimi që ishte bërë në faqen “Thënie nga Albin Kurti”.
|