schema:text
| - Rrena për dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti
Deklarata
Burime te sigurta brenda qeverise, thajnë se Albin Kurti pritet te japë dorëheqje sot ose me largu nesër
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Postimi i bërë me 6 shkurt 2023 se “Burime te sigurta brenda qeverise, thajnë se Albin Kurti pritet te japë dorëheqje sot ose me largu nesër”- është i rremë. Zëdhënësi i Qeverisë dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se kryeministri Albin Kurti nuk është dorëhequr as nga kryetari i partisë dhe as nga pozita e kryeministrit.
Artikulli
Më 6 shkurt 2023 në disa faqe në rrjete sociale është shpërndarë publikuar një informacion se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.
Informacioni është shpërndarë në këto faqe në Facebook: Shekulli.info, Prishtina, Plus Media Pernime dhe Fitim Çeku.
Në përshkrim thuhet se Kurti e ka dorëzuar dorëheqjen në zyrën e Levizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
“Albin Kurti sot e ka dorëzuar dorëheqjen në zyrën e Partisë se tij ne Prishtine. Burime te sigurta brenda qeverise, thajnë se Albin Kurti pritet te japë dorëheqje sot ose me largu nesër. Arsyeja e dorëheqjes është asociacioni!”- është shkruar në përshkrim.
KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i cili ka thënë se Kurti nuk është dorëhequr.
“Raportimi nuk është i vërtetë”- ka thënë Kryeziu.
Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka për të verifikuar nëse Kurti ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek partia, si thuhet në artikujt e publikuar.
“Është totalisht e pavërtetë”- është përgjigjur shkurt Manxhuka.
Lidhur me çështjen e Asociacionit, Kurti, javën e kaluar në seancën e Kuvendit ka treguar gjashtë kushtet me të cilat Kosova mund ta konsiderojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti edhe gjatë seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës ka folur për bisedimet rreth marrëveshjes me Serbinë dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por ai nuk ka thënë se do të dorëhiqet.
|