schema:text
| - Rrena për aksion në veri të vendit, ri-publikohet artikulli i rreth një viti më parë
Deklarata
Vehbi Kajtazi ‘trondit’ gjithe vendin / Ushtria serbe do te hyje ne Veri
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikullit “Vehbi Kajtazi ‘trondit’ gjithe vendin / Ushtria serbe do te hyje ne Veri” nuk është i saktë. Ndërsa, konstatimet e bëra në artikull se “Gazetari Vehbi Kajtazi kishte paralajmëruar para dy ditësh për aksίonin në Veri të Mitrovicës. Ai poashtu, pas aksίonit ka dhenë informacione tjera që ndërlidhen me reciprocitetin për targat”- është i rremë. Në fund të muajit tetor të vitit 2022 kur është publikuar artikulli nuk kishte asnjë aksion në veri. Krypometri ka gjetur se e njëjta përmbajtje ishte publikuar rreth një vit më parë, më 23 shtator 2021, nga blicalb.com.
Artikulli
Më 24 tetor 2022, në faqen e internetit news426media.com është publikuar artikulli me titullin “Vehbi Kajtazi ‘trondit’ gjithe vendin / Ushtria serbe do te hyje ne Veri”.
Materiali i kësaj faqe të internetit është shpërndarë më 24 tetor 2022 edhe në faqen e Facebook-ut KOHA E RE.
Artikulli e ka cituar gazetarin Vehbi Kajtazi i cili kishte paralajmëruar për aksionin në veri të Kosovës.
“Gazetari Vehbi Kajtazi kishte paralajmëruar para dy ditësh për aksίonin në Veri të Mitrovicës. Ai poashtu, pas aksίonit ka dhenë informacione tjera që ndërlidhen me reciprocitetin për targat” – thuhet në artikullin e publikuar me 24 tetor 2022.
Por, ky konstatim është i rremë, pasi në fund të muajit tetor të vitit 2022 nuk kishte asnjë aksion në veri të Kosovës.
Krypometri ka gjetur se i njëjti lajm ishte publikuar rreth një vit më parë, më 23 shtator 2021 nga blicalb.com.
KALLXO.com ka gjetur edhe një faqe tjetër të internetit lajme.icu që artikullin e njëjtë e ka publikuar më 12 mars 2022.
Artikulli i publikuar në lajme.icu është shpërndarë nga faqja e Facebook-ut Illyria Press më 24 mars 2022 dhe që ndjeket nga mbi 55 mijë persona.
Ditët e fundit nuk është paralajmëruar dhe as nuk ka ndodhur ndonjë aksion në veri të vendit.
Më 20 shtator 2021, Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë. Ky vendim kishte ngjallur reagimin e serbëve të cilët protestuan duke bllokuar rrugët. Pas gati dy javësh bllokim të pikave kufitare Kosovë- Serbi në Bërnjak dhe Jarinje, ishte arritur një marrëveshje në mes palëve rreth çështjes së targave të veturave.
Sipas marrëveshjes, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR nga 2 tetori i vitit 2021 kishin nisur t’i zëvendësonin Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu ishin larguar edhe kamionët që kishin bllokuar rrugët dhe qytetarët serbë që protestonin kundër masave të reja të Qeverisë së Kosovës, për reciprocitet në aplikimin e targave ndërshtetërore. Kurse nga 4 tetori i vitit 2022, filloi përdorimi i stikerave/afisheve në vetura.
|