schema:text
| - Uran Ismajli - Minister i Shendetsise
Rrena e Uran Ismailit për sigurimet shëndetësore
Deklarata
Uran Ismajli: Sigurimet shëndetësore do të fillojnë vitin e ardhshëm [2018]. Sigurisht se një sistem aq i madh duhet të testohet, do të fillohet si parafazë për të filluar në të gjithë Republikën e Kosovës në vitin pasues[2019]”, pati thënë Ismajli.
Vlerësimi
Rrenë
Faza e parë pilotuese e sigurimeve shëndetësore që e kishte premtuar Uran Ismajli nuk filloi në vitin 2018, ndërsa e njëjta sipas Ministrisë së Shëndetësisë do të fillojë në vitin 2019. Krypometri e vlerëson deklaratën e Ismajlit të vitit 2017 si rrenë.
Artikulli
Uran Ismajli është renditur në listën e gjatë të politikanëve që kanë premtuar data të ndryshme për nisjen dhe funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.
Ka qenë viti 2017 kur Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, se në fund të 2018-ës do të fillojë një fazë pilotuese për sigurimet shëndetësore për të vazhduar më pas me implementim të përgjithshëm.
“Sigurimet shëndetësore do të fillojnë vitin e ardhshëm. Sigurisht se një sistem aq i madh duhet të testohet, do të fillohet si parafazë për të filluar në të gjithë Republikën e Kosovës në vitin pasues”, pati thënë Ismajli.
Dy vjet nga ky premtim Ministria e Shëndetësisë thotë se viti 2018 ka qenë viti i investimeve në spitale, shtim të pajisjeve, ndërtimit të disiplinës, luftimit të korrupsionit.
Tash ata premtojnë që viti 2019 do të jetë viti i funksionalizimit të plotë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Parafaza për të cilën Ismaili ishte deklaruar në vitin 2017 nënkupton fillimin e rimbursimit të barnave jashtëspitalore si një ndër shërbimet e Fondit për Sigurime Shëndetësore. E kjo fazë, sipas MSH-së pritet të nis në vitin 2019.
“Deri në fund të vitit 2019 do të bëjmë funksionalizimin e plotë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe nisjen e mbledhjes së premiumeve. Si hap i parë në këtë drejtim, në pjesën e dytë të këtij viti, do të nis edhe rimbursimi i barnave jashtëspitalore, si shërbim i parë i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e MSh.
Ministria e Shëndetësisë thotë se Fondi pritet të jetë rreth 37 milionë euro për vitin 2019.
“Përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare është duke u përgatitur edhe një fushatë informuese për qytetarët për sigurimet shëndetësore, me qëllim që secili qytetar i vendit ta ketë informacione burimore për procesin e sigurimeve shëndetësore, mënyrat si do ta zbatohen sigurimet, përfitimet nga ky proces, sfidat, etj”
Sipas MSh-së deri më tani është bërë kompletimi i strukturës organizative të fondit përshirë edhe emërimin e Bordit nga Qeveria, trajnimi i stafit, draftimi i listës se shërbimeve bazike me çmime testuese si dhe finalizimi i formave të raportimit për Institucionet Shëndetësore.
Ministrisë i ka mbetur për të bërë punë ende, në vitin 2019 pritet të kryhen punët që janë parakusht për fillimin e mbledhjes se premiumeve.
Duhet të bëhet plotësim/ndryshimi i akteve nënligjore si dhe procedurave të brendshme administrative, zhvillimi dhe implementimi i Sistemin e Informimit të Fondit dhe të E-Recetës, ndërlidhja e SIF-it me Institucionet relevante (Administratën Tatimore të Kosovës, Bankën Qendrore të Kosovës dhe Agjencinë e Regjistrimit Civil), bashkëpunimi më Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), para-përgatitja për kontraktimin e shërbimeve shëndetësore, Finalizimi i Udhëzimit Administrativ për përcaktimin e çmimeve të barnave, finalizimi i udhëzimit administrativ për testin e varfërisë ,binjakëzimi i fondit me njërin nga institucionet relevante të shteteve anëtare të BE-së, hapja e shtatë zyrave regjionale të Fondit dhe finalizimi i listës së shërbimeve të kujdesit shëndetësor themelor së bashku me deklaratën përkatëse financiare për vitin fiskal, që do të mbulohen nga Fondi.
Përveç këtyre duhet të bëhet edhe finalizimi i listës se barnave jashtë-spitalore më çmime, të cilat do të paguhen nga Fondi si dhe krijimi i bazës ligjore dhe kontraktimi i barnatoreve.
KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për premtimet e parealizuara për fillimin e funksionalizimit të Sigurimeve Shëndetësore.
https://kallxo.com/ismaili-sigurimet-shendetesore-ne-fund-te-vitit-2018/?fbclid=IwAR2RkUn9Su5Rh9h63c60KIZ-kYScjHZtuBH_tcpUAN7WrHG0V0-CH3CqlEE
|