schema:text
| - Lajmi i rremë se ka vdekur këmbësorja e aksidentuar nga polici në Qyshk të Pejë
Deklarata
Vdes 23 vjeçarja që u godit nga një polic në zebra afër Pejës
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikullit “Vdes 23 vjeçarja që u godit nga një polic në zebra afër Pejës” është i rremë. 23-vjeçarja e aksidentuar nuk ka vdekur në vendin e ngjarjes, mirëpo e njëjta është transferuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë (QKUK). Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare, Naser Syla ka thënë se gjendja e pacientes është e rëndë dhe jostabile. Në një përgjigje për Krypometër, të dhënë më 03.04.2025, drejtori i Anesteziologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Gazmend Spahija ka thënë se pacientja e aksidentuar në Pejë është në gjendje relativisht stabile dhe po trajtohet në mënyrë intensive për lëndimet e marra në aksident. Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi ka thënë se personi i dyshuar për shkaktim të këtij aksidenti është ndaluar për 48 orë për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”. Përkundër faktit që Policia e Kosovës dhe Qendra Klinike Universitare (QKUK) kanë konfirmuar se këmbësorja e aksidentuar nuk ka vdekur, këto faqe nuk e kanë ndryshuar lajmin e tyre që thot se e njëjta ka vdekur.
Artikulli
Më 01.04.2025, faqet në Facebook Faktet.com (arkiva) dhe Media Fokus (arkiva) kanë publikuar një lajm me titull “Vdes 23 vjeçarja që u godit nga një polic në zebra afër Pejës”.
Artikulli i referohet një aksidenti me lëndime të rënda trupore në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, në fshatin Qyshk, si pasojë e të cilit u lëndua një këmbësore.
Përkundër faktit që Policia e Kosovës dhe Qendra Klinike Universitare (QKUK) kanë konfirmuar se këmbësorja e aksidentuar nuk ka vdekur, këto faqe nuk e kanë ndryshuar lajmin e tyre që thot se e njëjta ka vdekur.
Krypometër ka kontaktuar me Naser Sylën, Shef i Emergjencës në QKUK. I kontaktuar nga Krypometër më 01.04.2025, Syla ka konfirmuar se gjendja e këmbësores është e rëndë dhe jostabile.
“Ajo është sjellë në Qendrën Emergjente, traumë shumë e rëndë. Janë kry ekzaminimet e duhura dhe është trajtuar deri tani tek ne në QE. Është sjellë në sallë të operacionit në QE nga ekipet kujdestare të anestezionit. Gjendja e saj është e rëndë dhe jo stabile.”- ka deklaruar Syla për Krypometër.
Më 03.04.2025, Krypometër sërish ka kontaktuar në QKUK për të parë gjendjen e pacientes së aksidentuar. Drejtori i Anesteziologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Gazmend Spahija ka thënë se pacientja e aksidentuar në Pejë është në gjendje relativisht stabile dhe po trajtohet në mënyrë intensive për lëndimet e marra në aksident.
“Në Mjekimin Intensiv Qendror është ende pacientja e aksidentuar në Pejë, është në gjendje relativisht stabile dhe po trajtohet në mënyrë intensive për lëndimet e marra në aksident.”- ka deklaruar Spahija për Krypometër, më 03.04.2025.
Arrestimi
Një zyrtar policor është arrestuar në Pejë nën dyshimin se ka shkaktuar një aksident të trafikut, më 01.04.2025.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:45, në magjistralen Pejë-Prishtinë, në segmentin në fshatin Qyshk, në pjesën e rrugës së dedikuar për këmbësor.
Gashi tha se viktimë e këtij aksidenti është një 27-vjeçare, e cila është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës, por për shkak të lëndimeve serioze më pas është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).
Në vendin e ngjarjes është thirrur edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Në anën tjetër zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
“Prokurori i Shtetit bashkë me Inspektoratin Policor ka dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me këtë rast janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Personi i dyshuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë për veprën penale ‘rrezikimi i trafikut publik’.”- ka thënë Shkodran Nikçi për KALLXO.com.
Më tej, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se më 01.04.2025 është informuar nga Policia e Kosovës për aksidentin me lëndime të rënda trupore në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, në fshatin Qyshk. Në këtë aksident, si ishte informuar IPK, ishte i përfshirë një zyrtar policor me veturë civile e jashtë detyrës zyrtare, dhe një këmbësore.
Pas pranimit të kësaj informate IPK menjëherë i është përgjigjur rastit, si dhe njësitet e tjera relevante policore.
“Bazuar në veprimet e ndërmarra hetimore të ndërmarra deri tani dhe pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, zyrtari policor është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘rrezikim i trafikut publik’. Të njëjtit me aktvendim të Prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.”- thuhet në njoftimin e IPK.
Sipas Inspektoratit Policor veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK dhe në koordinim me Prokurorinë kompetente.
|