schema:text
| - Nxjerrja nga konteksti i një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Austrisë për të burgosurit
Deklarata
Pas Danimarkës edhe Austria planifikon marrëveshje që të burgosurit të vuajnë dënimin në Kosovë
Vlerësimi
Me kos
Në artikullin me titull “Pas Danimarkës edhe Austria planifikon marrëveshje që të burgosurit të vuajnë dënimin në Kosovë” janë dhënë përfundime të pasakta. Austria e ka vlerësuar si intersante modelin e marrëveshjes për të burgosur në mes të Kosovës dhe Danimarkës, mirëpo e njëjta nuk ka thënë se planifikon që të bëjë të njëjtën. Ambasada e Austrisë në Kosovë ka thënë “ne nuk kemi në plan që të adresojmë marrëveshje të tilla në të ardhmen”. Europa është në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe pjesë e debateve parazgjedhore është edhe trajtimi i emigrantëve dhe çështjes së të burgosurëve.
Artikulli
Më 08.05.2024 faqja në Facebook “Gazeta Informohu” (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Pas Danimarkës edhe Austria planifikon marrëveshje që të burgosurit të vuajnë dënimin në Kosovë”.
Artikulli pretendon se qeveria austriake planifikon marrëveshje për transferimin e kriminelëve të dënuar nga vendet joanëtare të Bashkimit Europian për të vuajtur dënimin në Kosovë.
Krypometër ka kontaktuar me ambasadën e Austrisë në Kosovë për të kuptuar nëse ka ndonjë plan konkret për të realizuar një marrëveshje të tillë me Kosovën.
Në një përgjigje për Krypometër, ambasada thotë se gjatë një takimi dypalësh të ministrit austriak të Punëve të Brendshme Gerhard Karner dhe ministrit danez të drejtësisë më 07.05.2024, pati një diskutim për bashkëpunimin e synuar ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës në fushën e ekzekutimit të dënimeve me burg dhe se ministri austriak këtë model e ka cilësuar si interesant.
Në përgjitgjen e Ambasadës austriake thuhet se aktualisht nuk ka plane konkrete të zbatimit të marrëveshjeve të tilla me Kosovën apo ndonjë shtet tjetër.
“Gjatë një takimi dypalësh të ministrit austriak të Punëve të Brendshme Gerhard Karner dhe ministrit danez të drejtësisë më 7 maj, pati një shkëmbim për bashkëpunimin e synuar ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës në fushën e ekzekutimit të dënimeve me burg. Për ministrin Karner, ky model bashkëpunimi mund të jetë interesant edhe për Austrinë. Megjithatë, aktualisht nuk ka plane konkrete zbatimi me ndonjë shtet të tretë”- thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Austrisë në Kosovë.
Krypometër ka kontaktuar edhe Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës për të sqaruar nëse një marrëveshje e tillë është diskutuar me këtë dikaster.
Shefi i kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Genc Nimoni tha se informacioni për një marrëveshje mes Kosovës dhe Austrisë për të burgosurit, nuk qëndron.
“Sa i përket lajmit për Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Austrisë për të burgosurit, ju informojmë se një gjë e tillë nuk qëndron. Kosova ka adresuar Marrëveshjen me Danimarkën për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Kosovës dhe për shkak të zotimeve që i kanë dhënë qeveritë paraprake. Si rrjedhojë, ne nuk kemi në plan që të adresojmë marrëveshje të tilla në të ardhmen”- ka theksuar Nimoni për Krypometër.
Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, është ratifikuar më 23.05.2024 në Kuvendin e Kosovës. Pro kësaj marrëveshje kanë votuar 86 deputetë.
Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar letër- pëlqim për sjelljen e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti është shndërruar në traktat. Qeveria e Kosovës ka miratuar më 07.06.2023 projektligjin për Ratifikimin e këtij traktati.
Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty parashihet që Danimarka të marr në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit. Në këmbim të kësaj, Kosova parashihet të ketë një përfitim prej mbi 200 milionë euro.
|