schema:text
| - Ilustrim
Mashtrimi se një ilaç mund t’i pastrojë enët e gjakut
Deklarata
Pas një pastrimi të tillë të enëve të gjakut tek të moshuarit tensioni i gjakut nuk rritet më dhe gjithashtu kalojnë ato të ashtuquajturat 9 sëmundje
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me përmbajtje “Pas një pastrimi të tillë të enëve të gjakut tek të moshuarit tensioni i gjakut nuk rritet më dhe gjithashtu kalojnë ato të ashtuquajturat 9 sëmundjet” është i rremë. Krypometri ka verifikuar me burime zyrtare se produkti “Hypertea” nuk ka licencë për shitje në Kosovë. Po ashtu Krypometri ka verifikuar se mjeku në fjalë nuk ka licencë pune në Kosovë ndërsa institucioni që e promovon artiulli nuk ekziston.
Artikulli
Më 29 gusht 2023 Gazeta Mjekësore kishte publikuar një intervistë me titull “Pas një pastrimi të tillë të enëve të gjakut tek të moshuarit tensioni i gjakut nuk rritet më dhe gjithashtu kalojnë ato të ashtuquajturat 9 sëmundjet “e pashërueshme” i cili rekomandon një produkt që, sipas artikullit, pastron enët e gjakut.
Intervista është shpërndarë edhe në Facebook, në faqen “Serena Hagenes” dhe nga persona privat.
Artikulli citon Dr. Petrit Kurti, si kardiolog, prandaj Krypometri ka kontrolluar nëse Kurti është i regjistruar në Odën e Mjekëve të Kosovës. Kontrollimi i datës 08/09/2023 ka treguar se në listën e OMK-së nuk ka mjek të licencuar me emrin Petrit Kurti.
Oda e Mjekëve të Kosovës është organizatë e përfaqësimit profesional të mjekëve e cila sipas ligjit licencon të gjithë mjekët në Kosovë.
Përpos emrit të mjekut i cili rezulton se nuk është i vërtetë, artikulli pretendon të promovojë një prodhim me emrin “Hypertea” i cili pretendohet se është preparat për t’i pastruar enët e gjakut e po ashtu që parandalon ngritjen e tensionit të gjakut, sidomos tek të moshuarit.
Krypometri ka kontrolluar nëse ky ilaç është i lejuar për tu shitur dhe për tu tregtuar në Kosovë.
Agjencioni Kosovar për Produkte dhe Paisje Medicinale është institucion i cili rregullon shitjen dhe importin e ilaçeve në Kosovë. Sipas ligjit asnjë medikament mjekësor, përfshirë vitaminat, nuk guxojnë të shiten në vend pa lejen e këtij institucioni.
AKPPM-ja në një përgjigje për Krypometër me datë 05.09.2023 ka konfirmuar se produkti ‘Hypertea’ nuk figuron në listën e barnave të lejuar në Kosovë.
“Bazuar në kërkesën si më poshtë po ju njoftoj se produkti “Hypertea” sipas kërkesës së më poshtme nuk posedon Autorizim Marketing në departamentin e AM-së”- thuhet në përgjigjen e AKPPM-së të datës 08/09/2023.
Po ashtu Krypometri ka kontaktuar me kardiologun Gani Bajraktarin për të verifikuar nëse rekomandon një ilaç të tillë për pacientët.
Në përgjigjën e Bajraktarit thuhet se nuk e ka rekomanduar asnjëherë këtë produkt.
“Shpesh më pyesin pacientët për “Hypertea”, nëse është i mirë për përdorim, por asnjëri s’më pyet a me ble. Ka shumë mashtrues dhe kjo mund të jetë mashtrim”- thuhet në përgjigjen me shkrim të Bajraktarit të datës 05.09.2023.
Në artikull gjithashtu thuhet se preparati ‘Hypertea’, u krijua në vitin 2015 nga Instituti i Zemrës dhe Vaskulave në Prishtinë.
Krypometri ka kontrolluar nëse ekziston një Institut i tillë në Kosovë dhe në organogramin e Ministrisë së Shëndetësisë nuk figuron asnjë institut me emër të tillë.
Krypometri po ashtu ka kontrolluar fotografinë për të cilën publikimi pretendon se është Dr. Kurti. Në verifikim në ‘tineye’, del që fotografia e njëjtë është përdorur tre herë me emrin V.K. Tatochenko.
Këtu del që fotografia e përdoror që pretendohet së është Dr. Petrit Kurti del të jetë Tatochenko Vladimir Kirillovich, i cili është shkencëtar rus, anëtar i Unionit të Pediatërve të Rusisë, Doktor i Shkencave Mjekësore, Shkencëtar i nderuar i Federatës Ruse dhe ekspert i OBSH-së.
|