schema:text
| - Deklarimi që nuk është thënë nga Kryeministri Edi Rama
Deklarata
Kosova të ruaj qetësinë, mos të provokoi vëllezërit tanë sërb.!
Vlerësimi
Rrenë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka thënë “kosova të ruaj qetësinë, mos të provokoi vëllezërit tanë sërb.!”, si pretendohet në një postim të bërë në Facebook. Kabineti i Kryeminsitrit Rama e ka mohuar një deklarim të tillë. Në asnjë prej këtyre deklaratave të publikuara në rrjetet sociale dhe në ueb-faqen e kryeministrisë së Shqipërisë, kryeministri Rama nuk ka thënë “Kosova të ruaj qetësinë, mos të provokoi vëllezërit tanë sërb.!”
Artikulli
Më 19 qershor 2023 faqja e Facebook-ut “Shqiptaret jane Ilire” ka publikuar një fotografi të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në të cilën është një citat: “Kosova të ruaj qetësinë, mos të provokoi vëllezërit tanë sërb.!”.
Ky citat i publikuar pretendohet që është thënë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
KALLXO.com ka dërguar pyetje tek zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për të verifikuar nëse një gjë e tillë është thënë nga Rama.
Në komunikim me telefon, zyrtarë të kabinetit të kryeministrit të Shqipërisë kanë thënë se një citat i tillë është i rremë.
Kurse, në përgjigjen me shkrim, Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë kanë thënë se gjitha deklarimet e Ramës janë publike, të qasshme në rrjetet sociale dhe në faqen e kryeministrisë.
“Përsa i përket kërkesës suaj, ju informojmë se mund t’i referoheni deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, zoti Edi Rama në platformat sociale dhe në faqen zyrtare të Kryeministrisë kryeministria.al” – thuhet shkurt në përgjigjen me shkrim të kryeminsitrisë.
Nga vendosja e kryetarëve të komunave veriore në objektet komunale, më 26 maj 2023, që shënoi edhe fillimin e tensioneve të reja në atë pjesë janë publikuar dhjetra deklarata të Edi Ramës në uebfaqen e kryeministrisë së Shqipërisë në Facebook dhe te ueb-faqja e Kryeministrisë së Shqipërisë.
Në asnjë prej këtyre deklaratave, Rama nuk ka thënë “Kosova të ruaj qetësinë, mos të provokoi vëllezërit tanë sërb.!”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që t’i pranojë kushtet e BE-së dhe SHBA-ve për shtensionim të situatës në veri të Kosovës të krijuar pas vendosjes së kryetarëve të rinjë në objektet komunale.
SHBA-ja dhe BE-ja tashmë i kanë vendosur disa masa ndaj Kosovës pasi qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për shtensionim të situatës në veri.
|