schema:text
| - Haradinaj ‘kërkah’ me historinë, ia huq për regjimin e Fidel Kastros
Deklarata
Haradinaj: Albini po thotë me e kthy edhe njëherë komunizmin..e ka provu Enver Hoxhaj, Fidel Kastro e kush se provoi..
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Vlerësimi: Ramush Haradinaj ka qenë i pasaktë historikisht në lidhje me sistemet komuniste në botë. Komunizmi është ende gjallë në Kubë edhe pas vdekjes së Fidel Kastros.
Artikulli
Ndryshe nga sa mund të mendonin njohësit e politikës ndërkombëtare, për Kryeministrin e Kosovës, komunizmi është një realitet i vdekur.
Në një takim me qytetarë të Vitisë, Kryeministri i dorëhequr dhe kandidati i listës së AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ndër tjerash duke kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë se koha e komunizmit ka mbaruar.
Haradinaj thumboi liderin e LVV-së Albin Kurtin i cili sipas tij “ dëshiron ta kthejë komunizmin”.
“Albini po thotë me e kthy edhe njëherë komunizmin..e ka provu Enver Hoxhaj, Fidel Kastro e kush se provoi”, tha Haradinaj.
Kështu ai la të kuptohej se komunizmi në botë, përkatësisht Shqipëri dhe Kubë, ka vdekur me vdekjen e Enver Hoxhës dhe Fidel Kastros.
Kjo megjithatë nuk qëndron.
Sistemi politik në Kubë vazhdon të jetë komunist dhe nuk është rrëzuar siç pretendon Haradinaj.
Në krye të vendit si Sekretar i Parë i Regjimit Komunist kubanez është Raul Kastro.
Rauli është vëllai i Fidel Kastros i cili ndërroi jetë në vitin 2016. Fidel Kastro ka qeverisur me Kubën komuniste që prej vitit 1959.
Së bashku me Che Guevaran, Kastro arriti të përmbys regjimin e Fulgencio Batistas, i cili mbështetej nga SHBA-të.
Kastro ka mbetur gjithnjë një kundërshtar i ashpër i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka arritur ta mbajë Kubën komuniste pavarësisht tentimeve Amerikane për ta përmbysur regjimin e komunist, i cili mbetet ndër të pakta vende në botë me një sistem një partiak.
Pra, Haradinaj nuk ka qenë i saktë në aspektin historik sepse pushteti komunist i Kastros ende është i gjallë.
|