schema:text
| - Albin Kurti nuk ka thënë se është kundër Amerikës
Deklarata
Albin Kurti kundër Amerikës e pranon sot në Kuvendin e Kosovës
Vlerësimi
Rrenë
Video dhe përshkrimi i saj “Albin Kurti kundër Amerikës e pranon sot në Kuvendin e Kosovës” janë të rreme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka deklaruar se është kundër Amerikës. Po ashtu, videoja e publikuar është e cunguar dhe e nxjerrë nga konteksti dhe daton nga seanca e Kuvendit të Kosovës e mbajtur në mars të vitit 2020 dhe nuk është nga seancat e Kuvendit të Kosovës të mbajtura në vitin 2024.
Artikulli
Më 08.02.2024 faqja në TikTok “Syri_blu” (arkiva) ka shpërndarë një video të një fjalimi të kryeministrit Albin Kurti në Kuvend me përshkrimin “Albin Kurti kundër Amerikës e pranon sot në Kuvendin e Kosovës”.
Në këtë video shihet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke mbajtur fjalim në Kuvendin e Kosovës.
Kryepometër, përmes kërkimeve në faqen e Kuvendit të Kosovës, ka gjetur se kjo video është nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, që është mbajtur më 11.03.2020 (arkiva).
Në këtë seancë të dates 11.03.2020 është diskutuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës të vitit 2018 për vendosjen e tarifës 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia, që ishte marrë nga Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Kjo seancë ishte thirrur për të diskutuar rrezikun e prishjes së marrëdhënieve me SHBA për shkak të mos-heqjes së tarifës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga Qeveria Kurti 1.
Në atë fjalim Kurti i ishte përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me raportin e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ai nuk kishte thënë që është kundër SHBA.
“Jam i bindur se ka marrëveshje të gatshme dhe ky është problemi. Unë nuk jam antiamerikan, unë jam kundër antiamerikanëve. Por më duhet ta them një gjë, presidenti është antieuropian. Pikërisht në kohën kur presidenti aktual i Kosovës deklarohet hapur si antieuropian disa më akuzojnë mua padrejtësisht për antiamerikan. Ai vet tha jam antieuropian. Unë jam edhe proamerikan edhe proeuropian. Unë besoj në lidhjen Trans-atlantike”- kishte thënë Kurti në Kuvend më 11.03.2020.
Lidhur me ketë deklaratë që është përdorur në video, Krypometër ka kontaktuar zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka. Ai ka thënë se përshkrimi është i pavërtetë.
“Titulli përveçse kërcënues është edhe i pavërtetë dhe në kundërshtim me deklaratën dhe bindjet e kryeministrit Kurti”- ka thënë Manxhuka për Krypometër më 16.02.2024.
Tarifa 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ishte hequr nga Qeveria Kurti 1 më 31.03.2020. Me po të njëjtin vendim, Qeveria Kurti 1 kishte prezantuar masat për reciprocitetin gradual ndaj Serbisë.
Gati katër vjet më vonë, Kosova përsëri është duke u përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA. SHBA bashkë me vendet e tjera të QUINT kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së për dinarin. Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme ka hyrë në fuqi më 01.02.2024. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton Euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.
Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit, James O’Brien, tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier më 15.02.2024, ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.
Më 19.02.2024, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara është i mirë, por se kjo nuk do të thotë që dy vendet “pajtohen absolutisht për gjithçka”.
Kurti tha se Qeveria e tij duhet ta respektojë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit serb, sepse me Kushtetutë dhe ligj e ka për detyrë.
|